Voton Cipras: Demokracia fitoi ndaj frikës

Bota

Voton Cipras: Demokracia fitoi ndaj frikës

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 08:52

(E plotësuar) Prej mëngjesit të sotëm në orën 07:00 grekët po votojnë për t’i thënë “jo” ose “po” marrëveshjes së propozuar nga FMN dhe kreditorët e tjerë.

Edhe kryeministri Alexis Cipras i është drejtuar kutive të votimit që në orët e para.

Ai deklaroi se sot demokracia do të kapërcejë frikën.

“Sot është një ditë feste, sepse demokracia është e mirë dhe kapërcen frikën. Zgjedhja është në duart e njerëzve. Shumë mund të injorojnë vullnetin e një qeverie, por jo vullnetin e një populli. Unë jam i bindur se nesër do të hapet një rrugë ku do të kthehen në vlerat themelore të demokracisë dhe solidaritetit për të gjithë popujt e Europës”, tha Cipras.

Referendumi grek për të ardhmen e vendit

Prej orës 7 të mëngjesit, grekët u janë drejtuar kutive të votimit në referendumin e kësaj të diele për t’iu përgjigjur me “po” ose “jo” pyetjes: Duhet të miratojmë marrëveshjen që ka propozuar KE, BQE dhe FMN më 25 qershor, e cila përbëhet nga reformat për përfundimin e programit dhe nga analiza paraprake e qëndrueshmërisë së borxhit?

Ky është referendumi i parë i Greqisë pas rreth 40 vitesh, por një nga më të rëndësishmit në historinë e saj, pasi do të jetë vendimtar për zhvillimet politiko-ekonomike të vendit, të cilat në 6 vitet e fundit kanë qenë një problem i madh edhe për BE-në.

Mbarimi i programit të ndihmës për Greqinë, të martën e kaluar; bankat e mbyllura, limiti i tërheqjes nga ATM-të deri në 60 euro; frika e shkaktuar nga disa publikime për taksë kolosale mbi depozitat, presionet e shtypit vendas dhe të huaj, deklaratat e udhëheqësve europianë, janë padyshim faktorë të rëndësishëm, që mund të ndikojnë në vendimin e grekëve për të dhënë përgjigjen pozitive apo negative ndaj masave, që propozojnë huadhënësit.

Qeveria u ka bërë thirrje votuesve, që të votojnë “Jo”, për të qenë më e fuqishme në negociatat me huadhënësit, por kundërshtarët e kryeministrit Tsipras paralajmërojnë se, kjo votë mund të çojë në largimin e Greqisë nga Eurozona.

Ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis ka deklaruar përsëri orët e fundit, se BE nuk ka asnjë bazë ligjore për të nxjerrë Greqinë jashtë euros. Por ekspertë financiarë shpjegojnë se, nëse BQE vendos përsëri të hënën të mos u japë parà bankave greke, Athina do të jetë e detyruar në ditët e ardhshme të ketë një monedhë të re, pasi eurot që ndodhen në banka do të mbarojnë.

Një pamje e qartë e rezultatit do të bëhet e ditur rreth orës 9 të mbrëmjes, nëse nuk do të ketë vonesa në mbylljen e votimit, nëse mbërrijnë 10% e rezultateve nga 4.800 Qendrat e Votimit dhe nëse diferenca midis dy alternativave, në këtë numër votash, do të jetë më e madhe se 4%.

Zhvillimi i referendumit ndiqet me vëmendje të jashtëzakonshme nga mediet e huaja dhe mbi 700 gazetarë, kameramanë dhe punonjës të shtypit janë akredituar ditët e fundit në Athinë. Sondazhet kanë dhënë deri orët e fundit një diferencë në kufirin e marzhit të gabimit statistikor, ndaj askush nuk mund të bëjë një vlerësim se cili kah do të fitojë.

Referendumi grek zhvillohet në një moment kur, sipas Bankës Mbretërore të Skocisë, recesioni që po përjeton Greqia në 8 vitet e fundit, pra në një kohë paqeje, është i të njëjtit nivel me atë të Depresionit të Madh apo të Luftës së Dytë Botërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat