Ja pse Greqia dhe Europa do të qëndrojnë bashkë

Bota

Ja pse Greqia dhe Europa do të qëndrojnë bashkë

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 09:36

Nga David Gordon dhe Thomas Wright, Foreign Affairs

Vendimi i kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, për të zhvilluar një referendum lidhur me planin e fundit për të përballuar borxhin grek – për të cilin qeveria e tij po i kërkon publikut që të votojë “jo” – e çoi drejt një fundi shokues një javë që nisi me shpresa të mëdha për një kompromis ndërmjet Greqisë dhe Komisionit Europian, BQE-së dhe FMN-së. Shumë vëzhgues kishin kohë që e kishin parashikuar referendumin, por ata prisnin që Tsiprasi ta zhvillonte në mënyrë që të merrte miratimin e publikut për një marrëveshje, të cilën ai aktualisht e ka hedhur poshtë në mënyrë që të shmangë të majtën ekstreme brenda vetë partisë së tij, Syriza. Por ja që njeriu i cili argumentoi për muaj të tërë se marrëveshja me Europën qe e vetmja rrugë për të ecur përpara, tani duket se po deklaron “loja mbaroi” dhe se në orë ka mbetur edhe pak kohë.

Mundësitë që Greqia ta lërë eurozonën tani janë rritur ndjeshëm. Nëpërmjet bisedimeve, Greqia dhe huadhënësit u përpoqën dëshpërimisht të gjenin një rrugë përballë bllokadës politike që kishin përballë. Syriza premtoi se grekët nuk do të zgjedhin ndërmjet përfundimit të masave shtrënguese dhe qëndrimit në eurozonë. Më pas, politikanët i garantuan votuesit se qe një “zgjedhje demokratike” e Greqisë. Por kredidhënësit kryesorë të vendit – qeveritë e tjera europiane – janë përballur gjithashtu me trysni politike, dhe Syriza nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe për t’i qetësuar shqetësimet e parlamenteve europiane lidhur me hedhjen e parave të mira pas të këqijave, duke krijuar një guxim moral për borxhlinjtë e ardhshëm.

Me dy qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta dhe me asnjë palë që ka ndërmend të lëshojë pe, një shkëputje e pastër mes Greqisë dhe eurozonës duket si opsioni më i mirë për Syrizën dhe për shumë prej ministrave të Financave të Europës. Por zgjedhja e një shkëputjeje të mirëfilltë është një iluzion.

Gjeografikisht është tejet e rëndësishme. Greqia shtrihet në zemër të Europës Juglindore, është lagjja më e paqëndrueshme e Europës. Ka gjithashtu shenja se Bullgaria dhe Serbia janë të cenueshme nga infektimi prej falimentimit të bankave greke. Paqëndrueshmëria e Ballkanit ka qenë pjesë e arsyes për përfshirjen e Greqisë në eurozonë, pikë së pari. Integrimi i plotë në BE besohej se do ta stabilizonte Greqinë dhe do të kishte efekte gjeopolitike në rajon. E kundërta mbetet gjithashtu e vërtetë – falimentimi i Greqisë do të përhapte tensione në rritje në Europën Juglindore. Kështu që fijet që e lidhin Greqinë me Europën dhe anasjelltas, nuk kanë gjasa të këputen.

Askush nuk e di më mirë se kancelarja gjermane Angela Merkel këtë, e cila ka qenë e vendosur në angazhimin e saj për ta mbajtur eurozonën të paprekur dhe për të arritur një marrëveshje me Tsiprasin. Ajo është e ndërgjegjshme në mënyrë akute lidhur me flirtimin e gjatë të Greqisë me Rusinë dhe për përpjekjet e vazhdueshme të presidentit rus, Vladimir Putin, për të shkaktuar mosmarrëveshje brenda BE-së. Si figura mbizotëruese në vendin kryesor të BE-së, Merkel mbetet vendimmarrësja më e rëndësishme në anën e kredidhënësve dhe ajo do të përpiqet ta parandalojë një Grexit të shpejtë, çka u duk si një skenar i pashmangshëm për Greqinë për shkak të pagesës prej 1.5 miliard eurosh që deklaroi se nuk do t’ia shlyente FMN-së këtë javë.

Detyra e Merkelit nuk do të jetë e lehtë. Gjatë një fjalimi te Brookings Institution javën e kaluar, Emmanuel Macron, ministri francez i Ekonomisë, e përshkroi Europën sikur është në një luftë fetare. “Në njërën anë, tha ai, ndodhen kalvinistët, të udhëhequr nga Gjermania, që duan që ata që kanë marrë vendime të këqija ekonomike të vuajnë. Nga ana tjetër janë katolikët, që duan të shkojnë në kishë dhe ta nisin me një lutje”. Ka njëfarë të vërtete në analogjinë e Macron. Dhe problemi i luftërave fetare është se kanë prirje të zgjasin. Konflikti ekonomik europian nuk ndryshon prej tyre.

Taktika pa takt

Përfundimisht, qëndrimet e forta negociuese të të dyja palëve do të shpien në një konflikt të gjatë ekonomik, i mbështetur te dogma thuajse fetare, në të cilën humbësi më i madh do të jetë integrimi europian. Sikurse kemi përshkruar në një artikull të mëparshëm te “Foreign Affairs”, qeveria e Syrizës e nisi me një pozicion të fortë negociues, por e humbi atë shpejt. Ajo zgjodhi partnerin e gabuar në koalicion; duke u larguar nga aleatët në Europë, çka hodhi ujë në mullirin e Gjermanisë; dhe bëri gjithashtu gabime të rënda ekonomike në shtëpinë e saj. Shtoi kësaj referendumin mbresëlënës të Tsiprasit dhe vështirë se mund të gjesh ndonjë qeveri të zgjedhur demokratikisht që të ketë bërë më shumë gabime trashanike.

Gjithsesi, eurozona ka përdorur një strategji rreziku – që mund të përshkruhet vetëm si një ndryshim regjimi. Udhëheqësit financiarë të eurozonës e konsiderojnë Syrizën të pabesueshme për të negociuar, dhe kështu që ata shpresojnë pak a shumë haptazi se një përkeqësim i situatës ekonomike në Greqi, përfshi thuajse falimentimin e bankave dhe mospërmbushjen e kërkesës për para, do ta shtynte popullin grek që t’i kundërvihej qeverisë së vet. Rezultati mund të jetë si kapitullimi i plotë i qeverisë greke dhe zgjedhje të reja, ashtë edhe një koalicion i ri me partinë pro-europiane Potami.

Vendimi i së premtes së kaluar i udhëheqësve europianë për t’i lënë negociatat e fundjavës në duart e ministrave të Financave (në vend të krerëve të qeverive) mund të ketë qenë arsyeja që e bëri Tsiprasin të bëjë një hap prapa, sepse ai e di mirë kuptimin e një kompromisi të ri.

Nuk ka asnjë dyshim se disa udhëheqës të eurozonës dhe ministra financash shpresojnë fshehurazi për një “jo” në referendumin e fundjavës. Ata mund të besojnë që eurozona mundet thjesht ta presë humbjen e Greqisë, çka do të sillte një kosto të madhe për Greqinë, por me një përhapje të vogël ose inekzistente për të tjerët. Pjesa tjetër e Europës mund të lëvizë në atë pikë pa shpërqendrimin e dramës greke. Në fakt, euro do të ishte më e fortë pa keqbërësit e saj, ose të paktën të tilla janë argumentet.

Bazuar tek intervistat e fundit që ka zhvilluar njëri prej nesh në Berlin kohët e fundit, ky argument duket se është kryesori që përdor ministri gjerman i Financave. Schäuble ndoshta e merr shtruar, sikurse është dëshmuar nga raportimet se ai beson që politikanët duhet të përgatitën për një dalje të rregullt të Greqisë nga euro. Një gazetë gjermane, “Bild”-i shkroi madje se ai qe gati të jepte dorëheqjen lidhur me qëndrimet e ndryshme se si të përballej çështja greke. Tani, vendimi i Tsiprasit për të zhvilluar një referendum do ta përforcojë këtë linjë të menduari, duke e bërë edhe më të vështirë që t’i bëhet ndonjë lëshim Athinës.

Por ata që janë në favor të një ndryshimi të regjimit harrojnë ndërkohë se krizat financiare janë famëkeqe për paparashikueshmërinë e tyre, kryesisht për sa i takon efekteve të tyre politike. Një kolaps grek dhe falimentimi në shkallë të gjerë do të shkaktonte humbje të paprecedenta financiare për FMN-në dhe qeveritë europiane, çka mund të sillte një efekt domethënës përhapës. Me pak fjalë, ky rezultat do ta helmonte mirëqenien në Greqi dhe në pjesën tjetër të Europës, edhe sikur dy palët do të bashkëpunonin me njëra-tjetrën në vitet në vijim.

Së fundi, nëse bota ka mësuar një gjë nga krizat financiare gjatë dy dekadave të fundit, ajo është se qeveritë duhet të ndalojnë së menduari në terma moralë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Ndonjëherë, për ta shpëtuar sistemin, ato duhet t’i ndihmojnë bankat e papërgjegjshme dhe institucionet financiare që janë epiqendra e krizës. Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, sikurse ndodhi në vitet ’30, kriza do të thellohet, infektimi do të përhapet shpejt dhe vetë demokracia do të kërcënohet rëndë.

Fundi i rrugëtimit?

Strategjia e Tsiprasit për të zhvilluar një referendum pas afatit të Greqisë për të paguar FMN-në është gjithashtu e rrezikshme. Përpara javës plot trazira në Greqi, qeveria deklaroi mbylljen e bankave dhe kontrollin e kapitaleve.

Nëse fiton vota “jo”, ka pak gjasa që Tsiprasi të ketë ndonjë plan për ditën e nesërme, jo vetëm sepse marrëveshja për të cilën po votojnë grekët nuk do të ekzistonte më por edhe sepse, edhe sikur të ekzistonte, ka shumë pak mundësi që kredidhënësit do të kishin vullnetin për t’i rihapur bisedimet për kushtet e saj. Por edhe sikur të vendosnin ta bënin, brenda Greqisë, e majta ekstreme Syriza do të merrte zemër dhe Tsiprasi do të kishte edhe më pak hapësirë për të bërë ndonjë lëshim të mëtejshëm. Në këtë skenar, Greqia do të dështonte për pagesat e saj ndaj BQE-së dhe do të detyrohej që të hidhte shpejt në treg një pjesë të pseudomonedhës për të financuar bankat dhe borxhet e brendshme.

Një votë “po” duket se do të jetë rezultati më i mundshëm në referendum, jo vetëm sepse sondazhet e fundit kanë shfaqur një mbështetje në rritje të opinionit publik për të qëndruar në eurozonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Tsiprasi është jashtë loje. Nëse fiton vota “po”, Syriza do të dobësohet, duke e cunguar legjitimitetin e saj në negociata me kreditorët. Nuk është ende e qartë se si dhe nga mund të dilte një koalicion i ri qeverisës.

Nëse Tsipras jep dorëheqjen në rast se fiton “po”-ja, mund t’i hapet rruga një qeverie të bashkimit kombëtar, qoftë politike apo teknike. Kjo qeveri do t’i riniste menjëherë negociatat me huadhënësit me shpresë që marrëveshja të arrihet përpara këstit prej 3.5 miliardë eurosh që Greqia duhet t’i paguajë BQE-së më 20 korrik, gjë e cila ka mundësi të ndodhë.

Por nëse Tsipras vendos të mos japë dorëheqjen, e cila ka gjithashtu po aq mundësi të ndodhë, arritja e një marrëveshjeje me kreditorët do të ishte edhe më sfiduese. Me Syrizën në mbështetje të tij, Tsiprasi mund të zgjedhë që të tërhiqet nga kërkesa e Syrizës për të zhvilluar referendum për të arritur një marrëveshje me kreditorët. Në rast se ky skenar realizohet, Tsiprasi do ta ndreqte reputacionin e tij prej plangprishësi, do të zhvillonte zgjedhje të reja dhe do të mbetej faktori kryesor në Greqi.

Së fundi, qëndrimet e ashpra nga të dyja palët mund të shpien drejt një konflikti afatgjatë ekonomik, të mbështetur te dogma thuajse fetare, në të cilën humbësi më i madh do të ishte integrimi europian. Por rezultati më i mirëpritur për pjesën tjetër të eurozonës do të ishte që Tsiprasi të krijonte një koalicion të ri me partitë pro-europiane, si Potami, por është e paqartë nëse Syriza e ka vullnetin, apo aftësinë, që të bënte një marrëveshje me Europën duke e pasur seriozisht me reformat strukturore.

Shmangia e “Jo”-së

Në fund të fundit, është në interesin më të mirë të Europës të mos e shtyjë Greqinë jashtë derës së eurozonës. Në rast se Greqia voton “jo”, negociatorët europianë duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre me strategjinë e ndryshimit të regjimit me shpresën se thellimi i një krize financiare do të ndikonte në dinamikat e politikës greke. Kjo strategji mund të ketë shumë sukses, sidomos duke qenë se çdo pseudomonedhë ka gjasa që të zhvlerësohet shpejt karshi euros dhe ta gërryejë besueshmërinë qeverisëse të Syrizës. Por në rast se Syriza nuk do të rrëzohej as në atë pikë, Europa do të përballej me skenarin më të keq të një Greqie të dobët dhe të shkëputur, e shndërruar në një “radikale të lirë” në rajonin më pak të qëndrueshëm të Europës. Kështu që, ashtu sikurse një votë “po” do ta rriste trysninë ndaj Tsiprasit, një votë “jo” do të kthehej në sfidën më serioze për Merkelin.

E vetmja zgjidhje është ajo që FMN-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Europa e kanë ditur gjithnjë: një lehtësim i borxhit për Greqinë në këmbim të reformave strukturore të paprecedenta dhe të paarritura. Por një gjë e tillë duket thuajse e pamundur për sa kohë teokratët Tsipras dhe Schäuble qëndrojnë në vendet e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat