Tsipras kërkon votën “jo” në referendum

Bota

Tsipras kërkon votën “jo” në referendum

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 11:57

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, u ka bërë sërish thirrje grekëve që të votojnë me “jo” në refrendumin për kushtet e paketës së ndihmës.

“Nëse fiton vota ‘po’, bankat do të hapen me një marrëveshje që nuk do të jetë praktike, por nëse ai është vendim i popullit grek, qoftë nga frika, presioni, apo zgjedhja, ne do ta respektojmë. Nëse fiton vota ‘jo’, ju siguroj se të nesërmen do të shkoj në Bruksel dhe do të nënshkruhet marrëveshja”, ka thënë Tsipras për një televizion grek.

Kreditorët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga Greqia reforma, si rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve të mirëqenies, si kusht për të zhbllokuar fondet e ndihmës.

Tsipras ka thirrur referendumin për datën 5 korrik, në lidhje me këto kërkesa.

Udhëheqësit evropianë kanë paralajmëruar se vota me "jo" mund të çojë në daljen e Greqisë nga Eurozona.

Bankat greke nuk janë hapur këtë javë, si pasojë e dështimit të bisedimeve midis Greqisë dhe kreditorëve të saj.

Frika nga falimentimi ka shkaktuar radhë të gjata të qytetarëve grekë te makinat e të hollave. Tërheqja është kufizuar në vetëm 60 euro në ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat