Princi i Arabisë ofron 28,8 miliardë euro për bamirësi

Bota

Princi i Arabisë ofron 28,8 miliardë euro për bamirësi

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 23:45

Princi miliarder i Arabisë Saudite, Alwaleed bin Talal do të dhurojë pasurinë e tij prej 28, 8 miliardë eurosh (32 mld dollarë) për bamirësi

Prince Alwaleed është 60 vjeç dhe është një nga njerëzit më të pasur në botë. Ai tha se është frymëzuar nga Fondacioni Gates, i ngritur nga Bill dhe Melinda Gates në vitin 1997.

Paratë do të përdoren për të “nxitur mirëkuptimin kulturor”, “për të fuqizuar gratë”, dhe “për të ofruar lehtësime në raste fatkeqësish”.

Gates e vlerësoi vendimin, duke e quajtur atë një “frymëzim për të gjithë ata që punojnë në filantropi në mbarë botën”.

Princi Alwaleed renditet sipas revistës “Forbes” në vendin e 34, në listën e njerëzve më të pasur në botë.

Paratë do të shkojnë për organizatën bamirëse të princit, “Alwaleed Philanthropies”.

“Filantropia është një përgjegjësi personale, të cilën unë e fillova më shumë se tre dekada më parë dhe është një pjesë e brendshme e besimit tim islam”, tha ai në një deklaratë.

Deklarata e princit Alwaleed vjen gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur myslimanët inkurajohen të bëjnë bamirësi për të ndihmuar nevojtarët.

Donacioni do të kryhet në ditët në vijim dhe do të mbikëqyret nga një grup njerëzish të besuar, me princin në krye. /shekulli/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat