FIOE dënon sulmet e përgjakshme në Francë, Kuvajt dhe Tunizi

Bota

FIOE dënon sulmet e përgjakshme në Francë, Kuvajt dhe Tunizi

Më: 29 qershor 2015 Në ora: 16:55

Federata e Organizatave Islame në Evropë (FIOE) ka dënuar ashpër sulmet e përgjakshme në Francë, Kuvajt dhe Tunizi, të cilat ndodhën të premten e kaluar. Në komunikatën e kësaj federatw thuhet se e kanë pranuar me dhimbje të thellë lajmin tronditës të sulmeve terroriste mbi njerëz të pafajshëm, qofshin ata besimtarë në xhami, turistë nëpër hotele apo punonjës në fabrikë, duke ekspozuar logjikën e verbër e cila lejon këto sulme të tmerrshme.

"Pa asnjë dyshim, mësimet e Islamit dhe ato të feve dhe besimeve tjera janë shumë të qarta në ndalimin dhe kriminalizimin e sulmeve të tilla të liga, sado që autorët e tyre përpiqen të hedhin pretendime mashtruese dhe parulla të rrejshme për t’ia atribuuar ato Islamit, apo shpikin arsyetime të paqëndrueshme për aktet e tyre të vrasjes dhe terrorit. Autorët e këtyre krimeve, jo vetëm që treguan mos respekt ndaj paprekshmërisë së jetës njerëzore, por shkuan edhe më tej, duke kryer aktin e tyre të tmerrshëm dhe gjakderdhjen pikërisht në muajin e bekuar të Ramazanit, i cili është një sezon i veprave fisnike, i të së mirës dhe paqes.

Federata e Organizatave Islame në Evropë, ashtu siç i dënon këto sulme terroriste, po ashtu thekson se përgjigja më e mirë në këtë drejtim është forcimi i unitetit kombëtar dhe kohezioni i komunitetit, në mënyrë që të izolohen ekstremizmi dhe terrori, ndërsa duke mbështetur liritë qytetare dhe të drejtat e njeriut. Federata gjithashtu kërkon një përpjekje të përbashkët për të ndaluar ekstremistët, të cilët mund të përpiqen të shfrytëzojnë rastin për të mbjellë frikë te muslimanët në shoqëritë e tyre evropiane.

Federata e Organizatave Islame në Evropë shpreh ngushëllimet e muslimanëve të Evropës deri te familjet e viktimave, dhe artikulon qëndrimin e saj të fortë të solidaritetit me shoqëritë e goditura, duke lutur Zotin e Plotfuqishëm për shërim të shpejtë të plagosurve", thuhet në komunikatë./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat