SHBA: Forcave irakiane u mungon vullneti për të luftuar

Bota

SHBA: Forcave irakiane u mungon vullneti për të luftuar

Më: 24 maj 2015 Në ora: 22:56

Zyrtarët amerikanë fajësuan forcat irakiane për avancimin e Shtetit Islamik në atë vend gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që u njoftua se ky grupim militant kishte kapur një tjetër pikëkalimi kufitar dhe kishte vrarë qindra persona në Siri.

Media shtetërore siriane njoftoi se ekstremistët e Shtetit Islamik kanë ekzekutuar të paktën 400 persona pasi morën nën kontroll qytetin Palmira javën e kaluar.

Në Irakun fqinj, ku Shteti Islamik mori nën kontroll pikën kufitare Al-Walid gjatë 24 orëve të fundit, forcat ushtarake dhe paraushtarake po përgatiten për një kundërofensivë në provincën Anbar. Por, gjatë një interviste të transmetuar sot, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, kritikoi reagimin e Irakut ndaj Shtetit Islamik. Ai i tha kanalit televiziv CNN se marrja e qytetit Ramadi prej ISIS para një jave provon se forcat irakiane nuk kanë “vullnetin për të luftuar”. Ai madje shtoi se forcat irakiane ishin shumë më të shumta në numër.

Këto shqetësime u mbështetën edhe nga Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice, gjatë një interviste për rrjetin televiziv CBS, ku ajo u shpreh se forcat irakiane kanë problemet e tyre për sa i përket vullnetit, paisjeve dhe udhëheqjes.

Kreu i komisionit parlamentar për mbrojtjen dhe sigurinë e Irakut, Hakim al-Zamili, i tha agjensisë Associated Press se komentet e zotit Carter janë “jo realiste dhe të pabaza”. Ai shtoi se Uashingtoni po përpiqet t’ia kalojë fajin Irakut për dështimin e amerikanëve për të ofruar paisje, armatime dhe mbështetje ajrore.

Drejtori i kanalit irakian Alhurra TV, Rafal Mahdi, i tha Zërit të Amerikës se militantët ekstremistë nuk zotërojnë të gjithë provincën Anbar, por se të paktën dy qytete të rëndësishme përgjatë autostradës për në kufirin me Sirinë ndodhen të rrethuar nga ISIS.

Zyrtarët lokalë i thanë Zërit të Amerikës se gjatë 10 ditëve të fundit qeveria qendrore ka reaguar me ngadalësi në frontet e reja të hapura në luftën kundër Shtetit Islamik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat