Kryetari 19 vjeçar i bashkisë

Bota

Kryetari 19 vjeçar i bashkisë

Më: 24 maj 2015 Në ora: 22:02

Kryetari më i ri i bashkisë në historinë e Merilendit bëri betimin këtë javë dhe u zotua se përparësia e tij kryesore është të sjellë biznesin përsëri në qytetin e vogël Indian Head. Nëntëmbëdhjetë vjeçari Brandon Paulin zëvendësoi kryetarin 69 vjeçar të bashkisë, duke u premtuar katër mijë banorëve të qytetit, se do të punojë për të rihapur përsëri bizneset .

Kryetari i bashkisë Brandon Paulin po flet me këta të papunë rreth planeve të tij për biznes. Ai është rritur në Indian Head, të Merilendit, një rrip dy kilometra e gjysmë toke që shtrihet mes dy lumenjve. Qyteti përfundon në një bazë të marinës dhe një autostradë shtrihet në veri drejt Uashingtonit që është një orë larg.

Por rruga për në qytet kalon mes dyqaneve të mbyllura për shkak të qendrave të mëdha tregëtare të ndërtuara në një qytet më të madh aty pranë.

Ai shpreson se Indian Head do të bëhet përsëri ashtu siç ishte – një vend i këndshëm me bukuri natyrore dhe me biznese, ku njerëzit duan të jetojnë dhe ta vizitojnë.

“Situata mund të ndryshohet. Shumë vite më parë Indian Head ishte një qytet në rritje dhe këtë kërkoj të kthej përsëri. Dua të nxis bizneset përmes stimulimit të ekonomisë.”

Ai thotë se pronarët e ndërtesave, që nuk jetojnë në Indian Head, janë pjesë e problemit, pasi nuk paguajnë taksa për pronat e tyre boshe. Ai kërkon të zbatojë një program që do të dekurajonte lënien e ndërtesave bosh.

“Programi do të mundësojë të vihet gjobë për ndërtesat boshe. Në këtë mënyrë bëhet më e kushtueshme për ta dhe i motivon të fillojnë një biznes.”

Pronari i biznesit Kelly Murphy ka besim se kryetari i ri i bashkisë mund të sjellë ndryshim.

“Mosha e tij nuk më shqetëson. E di që është entuziast dhe kur njerëzit mblidhen rreth tij e ndjejnë pozitivitetin e tij. Këtë e kemi humbur për shumë vite në këtë qytet.”

E ëma e kryetarit të bashkisë, Wendy Paulin, thotë se djali i saj ka vullnetin për ta çuar qytetin përpara.

“Ai nuk stepet nga sfidat dhe kur sheh problem përpiqet të gjejë zgjidhje.”

Kur Paulin ishte 10 vjeç, ai nxiti zyrtarët e qytetit të vinin shenja për kalimin e këmbësorëve dhe ja arriti.

“Kam qënë i përfshirë qysh atëherë duke shkuar në takimet e bashkisë dhe vendosa se kishte ardhur koha të merrja më shumë përgjegjësi në dorë.”

Paulin do të paguhet 6 mijë dollarë në vit si kreu i bashkisë së qytetit. Ai jeton me prindërit dhe po merr klasa kolegji në internet. Më zyrën e tij ai mban kopjen e një eseje politike të shekullit të 16, Princi, të shkuar nga Machiavelli. Paulin thotë se ajo i shërben si frymëzim, meqë libri ka gjithashtu një vend nderi në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat