Rënia e Palmiras: Humbje strategjike për Sirinë?

Bota

Rënia e Palmiras: Humbje strategjike për Sirinë?

Më: 22 maj 2015 Në ora: 22:28

Pushtimi i shpejtë i qytetit të Palmiras, pas vetëm disa ditë luftimesh, mund të ketë qenë një fitore e madhe ushtarake për Shtetin Islamik, por ajo gjithashtu mund të ketë qenë pjesërisht, një humbje e llogaritur strategjike për qeverinë siriane.

Mario Abou Zeid, një studiues i Qendrës Carnegie për Lindjen e Mesme në Bejrut, thotë se Damasku është duke luftuar forcat opozitare të cilat i konsideron si një kërcënim shumë më të madh se sa Shteti Islamik.

"Regjimi i Assadit mendon se është më mirë t’i hapë rrugën Shtetit Islamik, se sa t’i dorëzojë opozitës ndonjë qytet apo ndonjë strukturë", thotë analisti Mario Abou Zeid.

Ai thotë se me këtë lëvizje, zoti Assad po përpiqet të mbrojë interesat e tij. Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është duke luftuar Shtetin Islamik, por po mbështet edhe kryengritësit e opozitës siriane. Nëse një qytet bie në duart e Shtetit Islamik në vend të grupeve të opozitës, zoti Assad mund të besojë se ai do të ketë mbështetje për rimarrjen e qytetit në të ardhmen.

Strategjia e Dështuar Kundër Shetit Islamik

Megjithatë, rënia e qytetit Palmira ishte një goditje për të gjithë armiqtë e Shtetit Islamik, duke përfshirë qeverinë siriane, e cila e kontrollonte qytetin. Duke pushtuar qytetin e Palmiras, Shteti Islamik në thelb ka shkurtuar rrugën tokësore mes kryeqytetit, Damask dhe qyteteve lindore të kontrolluara nga qeveria.

Përveç kësaj, xhihadistët nga mbarë Siria janë mbajtur në një burg në Palmira, dhe kjo mund të jetë një burim i rekrutëve të ardhshëm. "Kjo do t'i japë mundësi Shtetit Islamik që të lirojë disa xhihadistë të rinj dhe njerëz të tjerë nga këto burgje dhe t’i përdorë ata për synimet e veta," thotë analisti Zeid.

Pushtimi i Palmiras gjithashtu është një sinjal se strategjitë e përdorura nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar Shtetin Islamik duket të jenë të pasuksesshme deri më tani, thotë Tim Eaton, analist i organizatës Chatham House.

"Ngjarjet e ditëve të fundit në Ramadi dhe tani në Palmira janë një shenjë se gjërat nuk janë duke shkuar aq mirë", thotë ai.

Komuniteti ndërkombëtar thotë se strategjitë e tij janë duke funksionuar, pavarësisht dëshmive që tregojnë të kundërtën. "E vërteta është se për ndryshimin e kësaj prirjeje komuniteti ndërkombëtar do të duhet të vazhdojë të marrë angazhime që deri më tani nuk ka qenë i gatshëm t’i marrë," thotë analisti Eaton.

Thesaret Kombëtare, Krenaria Kombëtare

Palmira është një nga qytetet me trashëgiminë më të madhe historike të rajonit. Atje ka gërmadha, art dhe objekte të tjera mijëra vjeçare. Shteti Islamik i ka shkatërruar thesaret e lashta dhe ka postuar video të shkatërrimit të tyre në internet.

Grupi gjithashtu shet thesaret e pashkatërrura dhe paratë nga shitja e tyre i përdor për të financuar operacionet e tij, thotë analisti Eaton. Dhe humbja e thesareve të Palmiras do të jetë shumë më e rëndësishme sesa thjesht humbja e sendeve me vlerë, shton ai. Humbja do të ishte një goditje ndaj identitetit kombëtar të popullit sirian, i cili është përçarë nga një luftë e cila ka thelluar dallimet sektare.

"Nëse flasim për një Siri të pasluftës, shenjat e konfliktit të tmerrshëm do të jenë aq të freskëta sa që ne do të duhet të kërkojmë për ato gjëra që i bashkojnë sirianët, historinë dhe kulturën e tyre të përbashkët. Prandaj, unë mendoj se ky është një paraljmërim i keq", thotë analisti Tim Eaton.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat