Herët të thuhet që ISIS qëndron pas sulmit në Teksas

Bota

Herët të thuhet që ISIS qëndron pas sulmit në Teksas

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:29

Shtëpia e Bardhë thotë se është ende herët që të lidhë militantët e Shtetit Islamik, me sulmin në Teksas që synonte një me karikatura të Profetit Muhamed.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, tha të martën se rasti është “ende duke u hetuar nga FBI dhe anëtarët tjerë të shërbimeve të zbulimit për të përcaktuar nëse ka ndonjë lidhje ndërmjet dy sulmuesve me ISIS-in apo ndonjë organizatë tjetër terroriste në botë”.

Grupi militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin e së dielës ndaj një ndërtese jashtë qytetit të Dallasit në Teksas, ku po mbahej një konkurs për karikaturat e profetit Muhamed.

Grupi ekstremist bëri njoftimin në stacionin e tij të radios, duke thënë se “dy nga ushtarët e kalifatit” kryen sulmin e së dielës në një konkurs mbi lirinë e shprehjes në qytetin e Garlandit.

“Ne i themi Amerikës se ajo që po vjen do të jetë edhe më e madhe dhe më e hidhur”, thuhet në deklaratën e Shtetit Islamik, hera e parë që ky grup merr përgjegjësinë për një sulm në tokën amerikane.

Policia ka identifikuar autorët e sulmit si Elton Simpson dhe Nadir Soofi, të cilët po banonin bashkë në një apartament në Feniks të Arizonës. Ata hapën zjarr mbi një qendër ku po mbahej konkursi, duke plagosur një roje të sigurisë, para se të vriteshin nga oficerët e policisë së qytetit të Garlandit.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se Elton Simpson ka qenë nën mbikëqyrje që nga viti 2006 dhe në vitin 2010 ishte dënuar për dëshmi të rreme para agjentëve të FBI-së rreth dëshirës së tij për t'u bashkuar me xhihadistët e dhunshëm në Somali.

Shtëpia e Bardhë tha se shërbimet e zbulimit po përpiqen të përcaktojnë nëse sulmuesit kishin marrë udhëzime nga Shteti Islamik apo ndonjë grup tjetër, apo thjeshtë janë frymëzuar nga propaganda nëpër rrjetet sociale.

“Ne jemi shumë vigjilent sa u përket përpjekjeve të ISIS-it dhe organizatave tjera ekstremiste për të radikalizuar individët në Shtetet e Bashkuara. Po punojmë ngushtë me udhëheqësit e komuniteteve, zyrtarët e sundimit të ligjit, natyrisht, për të luftuar këto kërcënime”, tha zëdhënësi Earnest.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat