Italia zbulon laboratorin e kanabisit

Bota

Italia zbulon laboratorin e kanabisit

Më: 4 maj 2015 Në ora: 09:06

Ushtria italiane ka zbuluar fermën e parë të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore, e cila është ndërtuar në kuadër të nismës për uljen e kostove të kanabisit mjekësor brenda vendit. Përfshirja e ushtrisë në kultivimin e kanabisit, për herë të parë u vendos nga qeveria në muajin shtator dhe duket se të mbjellët e para të saj janë të bollshme, raporton gazeta italiane “Corriere della Sera”. Bimët e kanabisit janë duke u kultivuar në dhoma të sigurisë së lartë në qendrën farmaceutike ushtarake në Firence. Ushtria pritet që të prodhojë çdo vit nga 100 kg kanabis. Gjithashtu, qendra është e pajisur edhe me dhomat e tharjes dhe paketimit të kanabisit.

“Qëllimi i këtij operacioni është që t’u jepet mundësia e kurimit pacientëve që kanë nevojë emergjente për medikamentet me bazë kanabisi, të cilat në tregun e jashtëm janë shumë herë më të shtrenjta dhe në të shumtën e rasteve mungojnë”, thotë për gazetën italiane Koloneli Antonio Medika. Kanabisi mjekësor është cilësuar si mjaft efikas për kurimin e disa sëmundjeve, veçanërisht atyre që shkaktojnë dhimbje kronike. Ndërkohë, kanabisi mjekësor mund të merret nga pacientët vetëm me rekomandim nga mjeku, ndërsa kostot e tij mbulohen nga shteti italian. Medikamentet me bazë kanabisi janë shumë të kushtueshëm dhe pacientët që kanë nevojë të trajtohen me to, nuk mund t’i përballojnë të vetëm shpenzimet e trajtimit. Kjo ka bërë që Italia të merrte një hap mjaft pozitiv për ta ndryshuar këtë situatë dhe për t’u ardhur në ndihmë pacientëve në rritje që kanë nevojë të trajtohen me kanabis mjekësor. Deri para një viti, Italia importonte kanabis mjekësor nga Holanda, vlera e të cilit ishte 35 euro për gram. “Ne po kërkojmë që ta ulim çmimin e kanabisin mjekësor nën 15 euro. Mbase shumë shpejt do të shkojë edhe 5 euro për gram”, thotë Kolonel Medika.

Nga ana tjetër, kultivimi i kanabisit në mënyrë private është ende i jashtëligjshëm në Itali. Po ashtu, edhe shitja dhe posedimi i kanabisin përbën vepër penale, po aq sa edhe konsumi i tij në publik. Laboratori ushtarak për kultivimin e kanabisit ishte një zgjedhje qeveritare për të shmangur në mënyrë kategorike përfundimin e ndonjë sasie kanabisi në tregun e zi dhe për qëllime j mjekësore. Ky laborator është i pajisur me një sistem të sigurisë së lartë, çka e bënë të pamundur depërtimin e civilëve në te, si edhe është i monitoruar çdo orë të ditës. Laboratori në fjalë, i cili është pronë e ushtrisë italiane, ka shërbyer më parë për prodhimin e medikamenteve të kushtueshme, që duheshin në kohë katastrofash dhe emergjencash civile.

Kujtojmë këtu, se atje janë prodhuar 500 mijë tableta potasiumi pas katastrofës nukleare të Çernobilit, në vitin 1986. Tashmë, laboratori dhe qendra farmaceutike e ushtrisë është vënë tërësisht në shërbim të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Edhe shpërndarja e tij është lënë nën tutelën e ushtrisë.

Italia e legalizoi kanabisin për qëllime mjekësore në vitin 2013, pasi kishte një numër të rritje të pacientëve që kërkonin trajtim imediat me këtë bimë. Kostoja e lartë e medikamenteve me bazë kanabisi, si edhe mungesa e tyre në tregjet europiane, bëri që qeveria të bëjë një hap përpara për ta legalizuar prodhimin e kanabisit mjekësor, por duke ia lënë “operacionin” ushtrisë. Prej vitesh, ushtria italiane ka eksperimentuar në qendrën farmaceutike ushtarake të Firences, ndërsa këtë vit, pritet që të kultivohen sasia e parë e kanabisit për qëllime mjekësore. Italia është një shembull mjaft interesant i kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Një shembull i tillë mund të ndiqet edhe në Shqipëri për të shmangur çdo lloj abuzimi me qëllimin e kultivimit të kanabisit mjekësor, si edhe me shitjen e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat