Ukrainë: Zyrtarët thonë se zjarri afër Çernobilit është fikur

Bota

Ukrainë: Zyrtarët thonë se zjarri afër Çernobilit është fikur

Më: 2 maj 2015 Në ora: 17:29

Shërbimi Shtetëror i Emergjencës në Ukrainë ka njoftuar se zjarri i fuqishëm, që kishte shpërthyer në një zonë të ndaluar afër Centralit atomik të braktisur në Çernobil, tashmë është fikur krejtësisht.

Kjo agjenci sot ka njoftuar në faqen e saj në Internet, se flaka ishte shuar në orët e mëngjesit ndërsa rrezatimi në hapësirën e përfshirë me zjarr ishte normal.

Ky zjarr, që ka shpërthyer më 28 prill, në territore me dru, që ende janë të kontaminuara nga katastrofa bërthamore në Çernobil në vitin 1986.

Kjo flakë e fuqishme ka shkaktuar shqetësime për rritje të rrezatimit në Ukrainë dhe në Bjellorusinë fqinje, derisa erërat e forta e çonin flakën kah centrali atomik, që ishte afro 20 kilometra larg.

Shërbimet e emergjencës i kishin dërguar më se 300 zjarrfikës, tre aeroplanë dhe një helikopter, për ta fikur zjarrin, për të cilin zyrtarët ukrainas thonë se ishte më i madh në këtë vend, prej vitit 1992.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat