OKB: Thirrja e Rusisë për Jemenin – nuk mbështetet

Bota

OKB: Thirrja e Rusisë për Jemenin – nuk mbështetet

Më: 2 maj 2015 Në ora: 16:54

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në një takim urgjent të mbajtur mbrëmë vonë, nuk e ka mbështetur thirrjen e Rusisë për armëpushim të menjëhershëm në Jemen, derisa kriza humanitare e ka përfshirë këtë vend që gjendet në luftë.

Kjo kërkesë e Rusisë u bë në javën e gjashtë të sulmeve ajrore të grupit të udhëhequr nga Arabnia Saudite kundër kryengritësve shiitë huthi në Jemen.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka tërhequr vërejtjen se mungesat e karburanteve mund t’i ndalin të gjitha ndihmat humanitare brenda “disa ditësh”. Vërejtje të tillë kishte bërë edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar.

Pasi nuk fitoi mbështetje për propozimin e paraqitur, ambasadori rus në OKB, Vitaly Churkin, i ka kritikuar kolegët e vendeve të tjera për “premtime boshe” ndaj krizës që po përkeqësohet.

Por, diplomacia ruse ishte pritur me një lloj dyshimi, duke i pasur parasysh lidhjet e afërta të Moskës me Iranin, i cili i mbështet kryengritësit huthi, që e kanë okupuar kryeqytetin Sana në Jemen.

Diplomatët thanë se thirrja e Rusisë nuk ishte refuzuar, por anëtarët e Këshillit të Sigurimit theksuan se u duhet më tepër kohë për shqyrtimin e këtij propozimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat