Familjet afrikano-amerikane dhe dhuna në Baltimore

Bota

Familjet afrikano-amerikane dhe dhuna në Baltimore

Më: 1 maj 2015 Në ora: 19:51

Pas vdekjes së Freddie Gray-it në paraburgim muajin e kaluar, Zëri i Amerikës intervistoi disa familje afrikano-amerikane në qytetin lindor amerikan të Baltimores për të mësuar se si ata e diskutojnë situatën në qytetin e tyre. Në mënyrë të përsëritur, prindërit theksuan bisedat e rëndësishme që ata thonë se çdo prind afrikano-amerikan ka me fëmijët e tyre. Korrepondentja e Zërit të Amerikës, Victoria Macchi sjellë më shumë hollësi mbi këto biseda që i kalohen çdo brezi.

Në Baltimore, prindërit afrikano-amerikanë u mësojnë fëmijëve të tyre dy gjëra në lidhje me policinë.
"Nuk them se çdo polic është i keq. Të gjithë nuk janë të mirë. Por kjo do të jetë një bisedë e gjatë".
Javët pas vdekjes së Freddie Gray-it nuk kanë qenë momenti i duhur për ta bërë këtë bisedë.
Në një protestë kundër dhunës policore, Christopher Martin marshoi me të fejuarën e tij Quteara Johnson dhe fëmijët e tyre për t’u treguar 2-vjeçarëve një protestë paqësore.
Nëna e Martinit ende e këshillon atë të shmangë protestat e natës, në të cilat policia arrestoi qindra protestuesë gjatë kësaj jave.

"Pas të gjitha këtyre gjërave që po ndodhin në lidhje me vdekjen e Freddie Gray-it, ajo më tha të qëndroj në shtëpi me fëmijët, të mos dal në rrugë. Është gjendje kaotike".
Njerëzit janë të zemëruar që ende ka nevojë për këto biseda. Por një hetim i vitit 2014 tregon se departamenti i policisë në Baltimore ka paguar afër gjashtë milionë dollarë në vitet e fundit për paditë rreth brutalitetit policor. Shumica e viktimave janë afrikano-amerikanë.
"Ka të bëjë më shumë me sjelljen e policisë. E vetmja gjë që ndryshon është ndoshta ngjyra e fëmijës, por është qëndrimi i tyre ndaj atij të riu, le të themi, dhe se si ata reagojnë ndaj atij. Çdo afrikano-amerikan që ka fëmijë, sidomos një djalë, u themi edhe vajzave, por ata janë më tolarant ndaj vajzave, por jo ndaj djemve. Pasi të arrijnë moshën e ngarjes së makinës, ata thjeshtë do të bëhen një objektiv i policisë," shprehet ky aktivist.
Tanya Sharpe, profesore e asociuar e punës sociale, thotë se bisedat familjare mbi çështjet si policia janë të nevojshme.
"Unë mendoj se për prindërit është e rëndësishme që ata të kenë biseda shumë të sinqerta. Sigurisht, ato duhet të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijëve. Por duhet të ketë biseda të sinqerta në lidhje me atë që po ndodh në komunitetin e tyre".
Ish-polici i Baltimores, Rob Weinhold thotë se bisedat duhet të përfshijë çështjen e bindjes.
"Prindërit gjithashtu duhet të punojnë me fëmijët e tyre dhe t’i edukojnë që t’u kushtojnë vëmendje urdhërave të policisë. Duhet të sigurohemi që ata të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ulur tensionet gjatë komunikimit me autoritetet. Këto pika të ndërveprimit përcaktojnë nëse gjërat do të shkojnë mirë apo keq".

Kur nxënësit dolën në rrugë pas shkollës dhe protestuesit dogjën një pjesë të Baltimores perëndimore të hënën e kaluar, 11-vjeçari Shane Carter iu shmang protestave. Por ai thotë se zemërimi ishte i justifikuar.
"Kam menduar se policët nuk janë vrasës, por tani ata kanë filluar të bëhen vrasës. Kam menduar se ata i kapin vrasësit, e nuk bëhen vetë vrasës".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat