Kriza e emigrantëve në Itali, pa zgjidhje afatgjatë

Bota

Kriza e emigrantëve në Itali, pa zgjidhje afatgjatë

Më: 27 prill 2015 Në ora: 19:28

Italia vijon me krizën e emigrantëve, ku çdo ditë zbarkojnë qindra persona në kërkim të fatit në perëndim.

Grupi i fundit, 274 emigrantë, arriti në portin e Tarantos pasi u shpëtua në afërsi të brigjeve libiane. Të gjithë refugjatët, mes tyre 42 fëmijë dhe 46 gra iu nënshtruan ndihmës mjekësore pas udhëtimit të vështirë. Më vonë gjatë ditës, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon , shefja e politikës së jashtme Federika Mogherini dhe kryeministri italian Mateo Renzi do të vizitojnë anijen San Gusto në Sicili.

Nga ana tjetër udhëheqësit evropianë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për të menaxhuar fluksin e njerëzve që vijnë nga Afrika Veriore nëpërmjet Mesdheut, pasi më shumë se 700 persona u mbytën javën e kaluar. Fatkeqësia tronditi unionin, por asnjë nga vendet anëtare nuk mori përsipër strehimin e emigrantëve, barrë e cila i ka mbetur vetëm Italiasë, Greqisë dhe Maltës.

Mëgjithatë, liderët europianë ranë dakord të trefishojnë fondet për operacionet e kërkim shpëtimit në Mesdhe, duke vënë në krye të prioriteteve jetën e njeriut.

Por ende nuk ka një zgjidhje afatgjatë të krizës, teksa rishpërndarja e refugjatëve ka përçarë edhe aleatët europianë.

Kancelarja Merkel deklaroi se do ti kërkojë BE-së të ndryshojë rregulloren e Dublinit, që azilkërkuesit të shpërndahen në vendet me ekonominë më të fuqishme, gjë e cila bie në kundërshtim me politikat e kryeministrit Cameron, i cili ka premtuar se nuk do të pranojë asnjë emigrant./oranews

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat