Ortek nga tërmeti, humbin jetën 8 alpinistë në Everest (Foto)

Bota

Ortek nga tërmeti, humbin jetën 8 alpinistë në Everest (Foto)

Më: 25 prill 2015 Në ora: 17:37

Të paktën 8 persona kanë vdekur pasi tërmeti i rënë në Nepal dhe i ndjerë në vendet përreth ka shkaktuar një ortek të fuqishëm në kampin bazë të malit Everest.

Një zyrtar lokal tha për mediat ndërkombëtare se kampi bazë është tërësisht i varrosur nga bora që vërshoi pas lëkundjes sizmike.

“Numri i viktimave mund të rritet, mes tyre mund të ketë të huaj si dhe udhërrëfyes”, deklaroi zyrtari.

Ndërkohë, alpinisti rumun Alex Gavan deklaroi se në vendin e ngjarjes u përjetuan momente paniku, kur orteku goditi bazën.

“Kampi bazë në Everest fillimisht ndjeu tërmetin dhe më pas vërshoi orteku i fuqishëm. U largova me vrap nga tenda ime për të shpëtuar. Jam mirë. Por në mal kishte shumë njerëz”, njoftoi Gavan në Twitter.

Ndërsa Daniel Mazur, një tjetër alpinist, tha se kampi ka është dëmtuar rëndë nga orteku.

Kapiteni Tim Bradshaw, që po drejton një ekip të ushtrisë britanike për t’u ngjitur në majën më të lartë të botës, tha se tenda e tij filloi të dridhej dhe më pas erdhi lëkundja nga tërmeti.

“Më pas gurë të mëdhenj filluan të binin rreth nesh nga njëra anë e malit, të cilët arritën deri në kamp. Këtu ku jam unë jemi të gjithë mirë. Por ne jemi nga ana tjetër e malit, larg anës nepaleze, shumë larg epiqendrës së tërmetit”, tha Bradshaw për Sky News.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat