Nepal, numri i viktimave i kalon 2000. Gërmime edhe me duar, për trupat nën rrënoja (Foto/Video)

Bota

Nepal, numri i viktimave i kalon 2000. Gërmime edhe me duar, për trupat nën rrënoja (Foto/Video)

Më: 25 prill 2015 Në ora: 09:36

(E plotësuar) - Një oficer i ushtrisë, Santosh Nepal, dhe një grup punonjësish shpëtimi kanë punuar përgjatë gjithë natës për të hapur një kalim brenda një ndërtese të shkërmoqur në Katmandu, për të cilën ata janë detyruar të përdorin sëpata e mjete të tjera rrethanore, pasi bulldozerët nuk mund të hynin përmes rrugëve të ngushta antike të kryeqytetit.

“Besojmë se ka ende njerëz të bllokuar nën rrënoja”, tha ai për “Reuters”, duke treguar për nga rrënojat e një godine trikatëshe të rrënuar përtokë.

Në atë që konsiderohet si tragjedia më e keqe në Everest, trupat e 17 alpinistëve u gjetën gjatë së dielës, pasi ishin bllokuar nga orteqet, por qindra të tjerë, shumica të plagosur, mbeten ende të bllokuar në mal.

Duke qenë se qeveria e Nepalit është tronditur dhe është gjetur e papërgatitur përpara shkallës së jashtëzakonshme të kësaj fatkeqësie, India ka ofruar furnizime mjekësore dhe ekipe ndihmëse, ndërsa Kina ka dërguar një ekip me plot 60 punonjës emergjence.

Mes ndërtesave historike të kryeqytetit, të shkatërruara nga tërmeti, ishte edhe një kullë 60 metra e gjatë, “Darahara”, e ndërtuar në vitin 1832 për Mbretëreshën e Nepalit, i hapur për vizitorët përgjatë 10 viteve të fundit. Nga ajo që ishte, tashmë ka mbetur vetëm një “trung i thatë”. Ndërkohë, pasi policia nxorri nga rrënojat e saj shumë trupa të pajetë, një polic tha se mund të ketë deri në 200 njerëz të bllokuar brenda saj.

Tërmeti i magnitudës 7.9 goditi Nepalin mesditën e së shtunës në një periudhë tepër të ngarkuar me turistë për vendin që bazohet kryesisht te turizmi, gjatë së cilës përllogariten rreth 300 mijë turistë të huaj në vend.

Policia e Nepalit e ka çuar numrin e viktimave në 1910, ndërsa të plagosurit plot 4625. Të paktën 700 prej viktimave janë shënuar në kryeqytet, vendstrehim i rreth 1 milion banorëve, ku shumica e shtëpive janë konstrukte të vjetra dhe të vendosura shumë pranë njëra-tjetrës.

Mijëra të vdekur nga tërmeti në Nepal

Një termet i fuqishëm prej 7.8 ballësh ka goditur kryeqyetetin Katmandu të Nepalit sot, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime të mëdha. Ka njoftime për mijëra të vdekur dhe të plagosur. Pritet që numri i të vdekurve dhe plagosurve të rritet.

Operacionet e shpëtimit po kërkojnë për viktima poshtë rrënojave të ndërtesave të shkatërruara, ndërkohë që disa njerëz po trajtohet në vend ngjarje dhe disa të tjerë po dërgohen nëpër spitale me gjymtyrë të thyera dhe plagë të tjera serioze.

Gazetari Tom Bell i cili jeton në kryeqytetin nepalez Katmandu foli me telefon me agjencinë e lajmeve Associated Press.

“Toka u lëkund me fuqi të madhe për ndoshta 30 sekonda. Unë isha përjashta kur ndodhi dhe pemët po përkuleshin si të çmendura”.

Lëkundjet e fuqishme të termetit që ndodhi para drekës sipas orës lokale, bënë që njerëzit të dilnin nëpër rrugë të frikësuar. Zyrtarët thonë se termeti u ndje edhe në disa qytete në veri të Indisë, në Tibet dhe Bangladesh, ku ka patur njoftime për viktima.

Lëkundjet e forta që shkatërruan tempuj shekullorë po ashtu kanë shkaktuar një ortek dëbore në malin e Everestit duke bllokuar disa alpinistë dhe mesa duket kanë shkaktuar të plagosur. Ky është termeti më i fuqishëm që ka goditur këtë vend të varfër të Azisë Jugore në më shumë se 80 vjet.

Disa qindra njerëz janë konfirmuar se kanë humbur jetën, përfshirë mbi 180 njerëz vetëm në kryeqytetin e vendit Katmandu, sipas policisë.

Televizioni nepalez tregonte pamje të trupave të viktimave nëpër rrugë në Katmandu, ndërsa në pjesë të tjera të qytetit të plagosurit po merrnin ndihmën e parë mjekësore.

Një pasgoditje me fuqi 6.6 ballë u ndje pas një ore nga tërmeti fillestar.

Ndër ata që kanë mbijetuar ka shumë të dëmtuar rëndë. Ndërkaq ka njoftime që nën rrënojat e një kulle të shekullit të 19 mund të ketë dhjetëra të bllokuar.

***

Tërmeti që goditi Nepalin ditën e sotme duket se po merr përmasa katastrofike.

Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar 1500.

Tërmeti i gradës 7.9 ballë ka shkatërruar qindra banesa dhe ka plagosur qindra persona.

Kryeministri Bamdev Gautam ka shpallur gjëndjen e emergjencës dhe bëri apel për asistencë humanitare në të gjithë vendin.

Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë pas qindra të tjerë kanë mbetur nën gërmadhat e ndërtesave të shembura.

Tërmeti është ndjerë në gjithë rajonin. 18 alpinistë raportohet të kenë humbur jetën në një kamp alpinistësh në malin Everest për shkak të një orteku të shkaktuar nga tërmeti, ndërsa autoritetet indiane raportojnë 35 viktima në Indi.

Është shkatërruar kryeqyteti Katmandu ku është rrëzuar edhe kulla Dharahara, trashëgimi e UNESCO-s.

Tërmeti i fundit i këtyre përmasave në Nepal ka rënë përpara 81 vjetësh ku humbën jetën 8500 persona.

>>Si ndodhi termeti në Nepal ?

Arrin në 1,130 numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues në Nepal

Numri total i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues i sotëm në Nepal ka arritur në 1,130 viktima, ka thënë një zëdhënës i policisë, raporton Reuters.

Nga ky numër, 634 janë raportuar të vdekur vetëm në Luginën Katmandu ndërsa së paku edhe 300 të tjerë në kryeqytet.

Ndërsa forcat e shpëtimit po kërkojnë për të mbijetuar.

* * * *
Vazhdon të rritet numri i viktimave në Nepal pas termetit shkatërrues që e goditi sot këtë shtet.

Sipas qeverisë së këtij vendi, së paku 1 100 persona e kanë humbur jetën nga termeti.

Së paku 524 persona e kanë humbur jetën në kryeqytet dhe në zonën tejmase të populluar, Fusha e Katmandusë.

Zyrtarët thonë se numri i viktimave sipas të gjitha gjasave do të rritet pasi ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë për trupa të pajetë nën gërmadha.

Sipas shërbimit gjeologjik amerikan, termeti kishte fuqi 7.9 mangitudë të shkallës së Rihterit.

Numri i viktimave nga termeti shkon në 758

Numri i viktimave në Nepal si pasojë e termetit të sotëm ka shkuar në 758 të vdekur, ka thënë një zyrtar i ministrisë së brendshme të këtij vendi.

Pjesa më e madhe e tyre janë viktima në Fushën e Katmandusë që është edhe zona më e dendur me banorë, raporton Reuters.

Zyrtarët nepalez po vazhdojnë të japin shifra në rritje të viktimave pas termetit me 7.9 magnitudë të shkallës së Rihterit.

Përpos shkatërrimeve të shumta, është shembur edhe kulla e vjetër, Dharar e ndërtuar në shekullin e 19-të.

Mbi 150 të vdekur nga tërmeti në Nepal

Mediat ndërkombëtare raportojnë se numri i të vdekurve nga tërmi i fuqishëm që ka goditur Nepalin dhe veriun e Indisë, ka arritur në mbi 150. Një numër i madh i personave gjenden nën rrënojat e objekteve të shembura.

Sipas raportimeve të “International Bussines Times”, thuhet se numri i të vdekurve mund të shtohet.

Edhe mediat tjera ndërkombëtare citojnë banorët të cilët thonë se kanë parë persona pa shenja jete apo edhe me lëndime serioze pasi kulla historike, Dharara e ndërtuar në shekullin e 19-të është shembur.

Reuters raporton se së paku 50 persona konsiderohet se kanë mbetur të ngujuar brenda gërmadhave të kësaj kulle.

Shërbimi Gjeologjik amerikan ka njoftuar tërmeti me magnitudë prej 7.9 shkallë të riterit, ndërsa epiqendra ishte rreth 50 km nga kryeqyteti, Katmandu.

Një tërmet 7-ballësh trondit Nepalin, shemben disa ndërtesa

Në zonën në fjalë, disa pallate janë shembur, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Ndërkohë, lëkundjet sizmike janë ndjerë edhe në Nju Delhi dhe qytete të tjera në veri të Indisë.

Për momentin nuk dihet ende numri i viktimave.

“Ne jemi në një proces mbledhjeje informacioni dhe po punojmë për t’u vajtur në ndihmë banorëve në zonat e prekura, si në vendin tonë ashtu edhe në Nepal”, ka deklaruar kryeministri indian Narendra Modi në Twitter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat