Siria mohon përdorimin e armëve kimike

Bota

Siria mohon përdorimin e armëve kimike

Më: 17 prill 2015 Në ora: 23:36

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, mohoi akzuat se forcat e tij kanë përdorur armë kimike, përfshirë klorin mbi civilët.

Organizata Human Rights Watch, tha se ka dëshmi që Damasku ka përdorur helme kimike në disa sulme vdekjeprurëse me bomba fuçi në provincën Idlib muajin e kaluar.

Grupet perëndimore të të drejtave të njeriut dhe qeveritë, e kanë akuzuar vazhdimisht qeverinë e Assadit për përodrim të armëve kimike ndaj civilëve, akuza që janë mohuar nga Damasku.

Në një intervistë të publikuar të premten, presidenti Assad i cilësoi akzuat e tilla si “propagandë kundër Sirisë”, duke nënvizaar se me to synohet “demonizimi” i qeverisë së tij.

“Kjo propagandë e medieve nuk pasqyron realitetin në rajon”, i tha Assad televizionit suedez Expressen TV. “Ata nuk kanë qoftë edhe një dëshmi për këtë”.

Presidenti sirian gjithashtu tha se Evropa mund të goditet nga sulme të tjera terroriste në të ardhmen, për shkak të marrëdhënieve të saj me shtete të caktuara arabe:

"Terrorizmi është një mal i madh. Nuk është një ngjarje e izoluar. Kur keni raste të izoluara, ju duhet ta dini se keni një mal të madh nën det që ju nuk e shihni. Pra, po, unë pres, për aq kohë sa të ekzistojë ky mal, dhe për aq kohë sa shumë zyrtarë evropianë vazhdojnë të marrin me të mirë vendet si Arabia Saudite dhe Katari për paratë e tyre dhe shitjen mallrave dhe të lejojnë vehabistët që të dëpërtojnë në disa komuniteteve në Evropë ne duhet të presim më shumë sulme".

Human Rights Watch, tha se ka kryer kërkime mbi gjashtë sulme në Idlib, ku helikopterët e qeverisë së Sirisë dyshohet të kenë hedhur bombola me klor.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike është gjithashtu duke kryer një mision faktmbledhës mbi ato sulme dhe sulme të tjera, por ajo nuk ka mandat për të përcaktuar përgjegjësinë.

Të enjten, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ndoqi një dëgjim emcional nga një doktor sirian që kishte trajtuar viktimat e sulmeve të dyshuara me klor në fshatin Sarmin, afër Idlibit, ku kishin vdekur gjashtë njerëz.

Doktori Mohamed Tennari, tha se ka ndjerë një erë të ngjashme me zbardhuesit në rrobat e viktimave dhe ka dëgjuar helikopterët duke fluturuar përmbi.

“A kishte sy të terur në sallë? Unë nuk i kam parë”, u tha gazetarëve ambasadorja amerikane në OKB Samantha Power, pas përfundimit të takimit me dyer të mbyllura.

Ajo tha se diplomatët ishin shumë të emocionuar kur panë video regjistrimet e fëmijëve që po mbyteshin e villnin nga gazi i klorit, ndërsa doktorët po luftonin për t’i shpëtuar ata.

Ajo tha se të gjitha dëshmitë flasin se armët kimike po binin nga helikopterët duke nënvizuar se vetmja forcë në atë rajon që ka fluturake të tilla janë forcat ushtrake të Sirisë.

“Por ne duhet të ecim përpara në atë mënyrë që të jetë e qartë për të gjithë anëtarët e këshillit...se ata që janë përgjegjës për sulme të tilla duhet të japin llogari”, tha ajo.

Qeveria e presidentit Assad tha se nuk e ka bërë kurrë dhe nuk do të përdorte kurrë armë kimike mbi civilët. Ajo akuzoi kryengritësit për sulmet e tilla.

Kombet e Bashkuara thanë se armët kimike janë përdorur në Siri por pa fajësuar asnjë palë.

Në shtator të vitit 2013, pas sulmit me gaz sarin ndaj kryengritësve në një paralagje të Damaskut, që la pas vetes qindra të vrarë, KS i OKB-së miratoi një rezolutë me të cilën i kërkohej Sirisë deklarimi dhe çmontimi i objekteve për prodhimin e armëve kimike dhe shkatërrimi i rezervave të saj.

Klori nuk ishte pjesë e kërkesave për shkatërrim, meqë ai përdoret edhe për qëllime civile.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat