Obama: Greqia duhet të angazhohet në reforma dhe të reduktojë burokracitë

Bota

Obama: Greqia duhet të angazhohet në reforma dhe të reduktojë burokracitë

Më: 17 prill 2015 Në ora: 20:10

Presidenti amerikan, Barack Obama i kërkoi sot Greqisë të angazhohet në reformat qeveritare dhe fiskale, në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin italian, Matteo Renzi në Shtëpinë e Bardhë.

“Matteo ka të drejtë. Greqia duhet të angazhohet në reforma”, theksoi Obama.

“Grekët duhet të mbledhin taksat. Ata duhet të reduktojnë burokracitë, të rrisin fleksibilitetin e tregut të tyre të punës”, nënvizoi presidenti amerikan.

Presidenti amerikan theksoi se i kishte kërkuar kryeministrit grek, Alexis Tsipras t’i tregonte popullit se ka shpresa dhe se rritja ekonomike mund të rikthehej.

Matteo Renzi, në vizitë në Shtëpinë e Bardhë, i kishte kërkuar pak më herët qeverisë greke të respektonte angazhimet e kaluara me Bashkimin Evropian.

“Ne do të mbështesim një shkallë të fleksibilitetit mbi mënyrën se si ju do të avanconi”, shtoi Barack Obama, “por ju duhet t’i tregoni kreditorëve dhe atyre që mbështesin sistemin tuaj financiar që po bëni përpjekje për të ndihmuar veten dhe kjo kërkon vendime të vështira që Mateo ka filluar t’i marrë.

Presidenti amerikan, Barack Obama dhe ministri grek i Financave, Janis Varufaqis zhvilluan një takim të shkurtër dje në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të një ceremonie në kujtim të pavarësisë greke 1830, theksoi një zyrtar amerikan.

Varufaqis, i pranishëm në Uashington me rastin e takimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore, shfaqi vullnetin e qeverisë për të kryer sa më mirë reformat e kërkuara nga kreditorët me qëllim që ata të zhbllokojnë këstin e ndihmës prej 7,2 milliardë eurosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat