Liria e besimit përballë të drejtave civile

Bota

Liria e besimit përballë të drejtave civile

Më: 2 prill 2015 Në ora: 00:57

Autoritetet lokale në shtetin e Indianës kanë zgjuar një debat kombëtar, pasi miratuan një ligj që, sipas kritikëve, ka për qëllim diskriminimin kundër homoseksualëve. Debati e ka burimin tek interpretimet e ndryshme të lirisë së besimit në Amerikë:

Gjatë dekadës së fundit, Amerika ka përjetuar një zhvendosje të madhe në mentalitet – aktualisht dy të tretat e shteteve lejojnë martesat e homoseksualëve.

Fokusi i debatit është tani tek liria e besimit, thotë Sarah Posner e revistës elektronike Religion Dispatches:

“Kryesisht debati nxitet nga kundërshtarët e martesave mes homoseksualëve, të cilët e shohin se trajektorja është drejt lejimit të martesave të tilla dhe ata duan, siç shprehen vetë, të ruajnë bindjet dhe praktikat përballë këtyre ndryshimeve në kulturë”.

Kundërshtarët janë kryesisht të krishterë konservatorë të cilët bazohen tek një ligj që mbron një rit të indianëve të Amerikës për të përdorur një bimë që shkakton aluçinacione:

Por të tjerët thonë se Indiana e ka ndryshuar ligjin e lirisë së besimit në mënyrë që bizneset t’u mohojnë shërbime çifteve homoseksuale.

Guvernatori i Indianës Mike Pence e mohon këtë interpretim:

"Është e qartë se është krijuar keqkuptim dhe konfuzion dhe ky ligj është keqinterpretuar”.

Juristja Kristina Arriaga thotë se aktivistët për të drejtat e homoseksualëve po hamendësojnë se do të ketë diskriminim për të diskretituar ligjin e Indianës për lirinë e besimit.

“Nuk ka asnjë rast në një periudhë 22 vjeçare, kur, bazuar në argumentin për lirinë e besimit është miratuar ndonjë përjashtim në ligjet kundër diskriminimit”.

Por debati në Indianë tregon se liria e besimit interpretohet në mënyra të ndryshme. Konservatorë si zonja Arriaga thonë se ligji mbron të drejtën për të ushtruar besimin kudo:

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të jetojnë në bazë të bindjeve të tyre të thella qoftë në shtëpi apo në punë, jo thjesht të premten, të shtunën apo të dielën, por edhe të mërkurën”.

Pala tjetër thotë se njerëzit duhet të mbrohen nga feja, thotë zonja Posner:

“Liberalët janë për mbrojtjen me të gjitha mënyrat të lirisë së besimit, kur këto liri rrezikohen nga veprime të qeverisë. Por nuk duan që këto mbrojtje të zgjerohen deri në atë pikë sa që të dëmtojnë një palë të tretë”.

Gjykata e Lartë do të marrë së shpejti në shqyrtim të drejtën e qeverive shtetërore për të ndaluar apo jo martesat e homoseksualëve. Nëse gjykata vendos se shtetet nuk mund t’i ndalin këto martesa, mund të bëhet edhe më e vështirë vija ndarëse mes lirisë së besimit për një individ dhe të drejtave civile të një individi tjetër.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat