Turqia ashpërson qëndrimin ndaj militantëve kurdë

Bota

Turqia ashpërson qëndrimin ndaj militantëve kurdë

Më: 1 prill 2015 Në ora: 20:02

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan duket se po ashpërson qëndrimin ndaj militantëve kurdë me goditje të vazhdueshme kundër bazave ushtarake të PKK-së në Turqi. Ky qëndrim vjen ndërsa është krijuar ideja se presidenti po afrohet gjithnjë e më shumë me gjereneralët e ushtrisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli:

Ushtria turke ka ndërmarrë disa aksione kundër bazave të grupit kryengritës kurd PKK. Ka pasur gjithashtu njoftime për përleshje mes kryengritësve dhe ushtrisë, megjithëse nuk ka pasur njoftime për viktima. Ndërkohë, qeveria dhe PKK-ja vazhdojnë një proces paqeje për t’i dhënë fund kryengritjes prej tre dekadash. Por ndërsa afrohen zgjedhjet e përgjithshme të qershorit, eksperti i shkencave politike Cengiz Aktar i Universitetit Suleyman Sah të Stambollit thotë se këto masa mund të jenë vetëm një manovër parazgjedhore.

"Ata mendojnë se duke minimizuar procesin e paqes po u bëjnë qejfin votuesve nacionalistë, anti-kurdë. Qeveria ka vetëm një program: siguria dhe paprekshmëria e partisë dhe presidentit”.

Gjatë festimeve për vitin e ri kurd në mars, një letër nga udhëheqësi i burgosur i PKK-së Abdullah Ocalan deklaroi se beteja e armatosur nuk kishte vlerë por ai e zhgënjeu qeverinë duke mos dhënë një datë për çarmatim.

Që atëherë, Presidenti Erdogan shkaktoi edhe më shumë zemërim mes kurdëve duke deklaruar se nuk ekziston më problemi kurd dhe se nuk do të bëhen më lëshime deri kur PKK të çarmatoset.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel i Universitetit Kadir Has të Stambollit thotë se ashpërsimi i qëndrimit të presidentit, edhe nëse është manovër zgjedhore, është një strategji e rrezikshme.

"Nuk e di nëse do të jetë gjë e mirë për të, sepse në fund të fundit, ai është përgjegjës për çdo gjë në vend. Nëse e çon vendin në prag të konfliktit të armatosur, nuk jam i sigurt se kjo do të shihet me sy pozitiv, edhe nga vetë simpatizantët e tij”.

Udhëheqësi i partisë kryesore pro-kurde HDP të Turqisë, Selahattin Demirtas ka akuzuar presidentin se po përpiqet të provokojë lëvizjen kurde të hyjë në konflikt, por ka thënë se luftimet nuk do të rifillojnë.

Demirtas po përpiqet të arrijë 10 përqindshin e nevojshëm për të hyrë në parlament. Analisti politik Asli Aydintasbas i gazetës turke Milliyet parashikon se retorika e presidentit do të zbutet pas zgjedhjeve të përgjitshme.

"Erdogan gjithmonë përqafon tendenca nacionaliste para zgjedhjeve dhe pas tyre ka një frymë më të butë. Ai është një politikan shumë i zgjuar dhe ndoshta e ka vënë re se mbështetja për partinë AKP në pushtet ka një prirje për të rënë”.

Disa analistë thonë se qëndrimi nacionalist në rritje i zotit Erdogan vjen në një kohë kur ai po afrohet me gjeneralët e ushtrisë. Për mbi një vit, presidenti është përpjekur të sigurojë mbështetjen e ushtrisë dhe nacionalistëve në betejën kundër pasuesve të ish-aleatit të tij, klerikut islamik Fetullah Gulen.

Para një muaji, zoti Erdogan u kërkoi falje ushtarakëve të lartë për ndjekjen penale dhe burgosjen e qindra oficerëve në detyrë ose në pension nën akuzat se po përpiqeshin që ta përmbysnin atë dhe qeverinë e tij.

Analisti Ozel thotë se përpjekjet për të bërë ushtrinë për vete, mund të jetë një sinjal i izolimit në rritje të presientit.

"Ai i ka shkëputur lidhjet me të gjitha grupet, kështuqë i duhet të gjejë disa aleatë. Nuk e di nëse ushtria e beson. Ai ka braktisur gjithkënd tjetër dhe gjithkush e ka braktisur atë”.

Analistët thonë se nëse presidenti po afrohet me ushtrinë dhe po mban një qëndrim nacionalist si lojë politike apo nëse po ndërmerr një ndryshim strategjik, mund të jetë thelbësore për drejtimin e ardhshëm politik të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat