​Stoltenberg: Askush s’detyrohet që të hyjë në NATO

Bota

​Stoltenberg: Askush s’detyrohet që të hyjë në NATO

Më: 1 prill 2015 Në ora: 11:54

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka deklaruar se NATO nuk e detyron asnjë vend, që do të thotë as Serbinë, që të hyjë në Aleancë dhe se është e kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm ushtarak me atë vend.

“Unë e respektoj vendimin e Serbisë (që të mos hyjë në NATO)”, ka thënë Stoltenberg në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke shtuar se në historinë e kësaj organizate asnjë vend anëtar i saj nuk është detyruar që të hyjë në të dhe se çdo shtet vetë vendos për atë se kë do të ketë aleat.

I pyetur për “ndikimin në rritje” të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, Stoltenberg është përgjigjur se është fjala për rajon heterogjen, ku disa vende tashmë janë anëtare të NATO-s, kurse disa të tjera, ndër të cilat edhe Serbia, kanë marrëdhënie partnere.

Autoritetet serbe, në radhë të parë shefi i diplomacisë Ivica Daçiq, kohët e fundit shpesh kanë cekur se Serbia nuk synon anëtarësim në NATO, ndërsa ka vazhduar edhe bashkëpunimi i dendur, mes tjerash edhe ushtarak, me Rusinë. Kështu, për sivjet është paralajmëruar edhe mbajtja e një stërvitjeje të përbashkët të pilotëve ushtarakë të dy vendeve./KP/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat