Laburistët: Dalja nga BE-ja rrezik i madh për biznesin

Bota

Laburistët: Dalja nga BE-ja rrezik i madh për biznesin

Më: 30 mars 2015 Në ora: 19:34

Partia Laburiste prezantoi sot programin ekonomik duke konfirmuar, ditën e parë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 7 majit, se rreziku më i madh për bizneset britanike do të ishte dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian.

Duke u prononcuar për të përditshmen ekonomike “The Financial Times”, kryetari i partisë opozitare kritikoi premtimin e kryeministrit konservator, David Cameron, për organizimin e një referendumi në vitin 2017, mbi anëtarësimin e vendit në BE, nëse ai fiton mandatin e dytë pas pesë javësh.

“Rreziku më i madh për bizneset britanike është kërcënimi i daljes nga BE-ja”, thuhet në këtë prononcim.

“Partia Laburiste do t’i japë rëndësi interesit kombëtar”, shton partiaku duke theksuar se do të “riorganizojmë, por nuk do të largohemi nga BE-ja”.

Menjëherë erdhën një sërë reagimesh nga ana e biznesmenëve më të mëdhenj të cilët i bëjnë thirrje të gjithëve që Mbretëria e Bashkuar të qëndrojë në BE.

Mes drejtuesve mori pjesë edhe Juergen Maier, drejtori ekzekutiv i ”Siemens”-it në Britaninë e Madhe.

Ai theksoi se biznesi “nuk mbështeste asnjë parti politike”.

I pyetur për këto polemika, kryetari i laburistëve, Ed Miliband shpjegoi se “partia thjesht kishte cituar deklaratat publike të bëra nga këto biznese, mbi vendin që mban Mbretëria e Bashkuar në Bashkimin Europian”.

“Ne kemi biseduar me të gjitha bizneset që kemi cituar”, shtoi Chuka Umunna, anëtar i kabinetit ”fantazmë” të Partisë Laburiste.

“Më shumë se tre milionë vende pune në Britaninë e Madhe janë të lidhura me marrëdhëniet me Bashkimin Europian”, nënvizoi partiaku në fjalimin e tij, i cili kujton gjithashtu se “Bashkimi Europian është tregu më i rëndësishëmi i eksportit për vendin”, përpara se t’i bënte thirrje zgjedhësve të votonin Partinë Laburiste.

Në mëngjes, Ed Miliband detajoi manifestimin ekonomik në selinë e agjencisë të lajmeve ekonomike “Bloomberg”, duke thënë se donte të punonte me të gjitha bizneset.

Në dokumentin prej 22 faqesh bëjnë pjesë angazhimet e Partisë Laburiste për “reduktimin e deficitit çdo vit”, “mbështetjen e lidhjes me tregjet ndërkombëtare duke i dhënë Mbretërisë së Bashkuar një rol kyç në Bashkimin Europian” dhe “krijimin e një bankë investimesh britanike” për të ndihmuar në investimet e bizneseve.

Partia Laburiste gjithashtu synon të krijojë “një komision të pavarur për infrastrukturën kombëtare” duke marrë në konsideratë nevojën për të menaxhuar projekte të mëdha afatgjata në vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat