Në Debaltseve rikthehet normaliteti

Bota

Në Debaltseve rikthehet normaliteti

Më: 29 mars 2015 Në ora: 22:05

Banorët e qytetit Debaltseve në Ukrainën lindore po fillojnë të rindërtojnë jetën e tyre pasi luftimet e ashpëra muajin e kaluar shkatërruan qindra ndërtesa dhe detyruan të largohen një numër të madh njerëzish. Separatistët me mbështetjen e Rusisë morën kontrollin e qytetit në shkurt, disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit me qeverinë e Kievit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Adam Bailes nga Debaltseve, njerëzit po kthehen në shtëpitë e tyre, në vendin që tani separatistët e quajnë Republika Popullore e Donetskut.

Në Debaltseve tani valëvitet flamuri i Republikës Popullore të Donetskut, pasi separatistët pro-rusë morën muajin e kaluar kontrollin e qytetit të vogël strategjik.

Banorët po dalin nga strehimet dhe po kthehen në shtëpitë e tyre. Në lagjen Festivaljnaya, pensionistja Maria përpiqet të riparojë dritaret e shkatërruara. Në derën e saj është shkruar: “Këtu jetojnë njerëz, jo ushtarë.”

“Ne kemi vetëm një pyetje: Përse qëlluan ata mbi civilët? Kush qëlloi me armë këtu, sepse as ukrainasit dhe as ushtarët pro-rusë nuk ishin në këtë zonë.”

Në qytet kanë mbetuar tanke të prishura, që pas tërheqjes së forcave ukrainase. Për javë të tëra qyteti u godit rëndë me predha dhe raketa, ndërsa ushtria ukrainase u përpoq të luftonte me separatistët që avanconin drejt qytetit. Tani qindra ndërtesa kanë mbetur të shkatërruara.

Në kushtet e paqes relative, banorët shohin nga e ardhmja, pastrojnë rrënojat, rregullojnë xhamat dhe fillojnë të ndërtojnë jetën e tyre.

Eliza thotë se banorët që nuk u larguan nga qyteti, qëndruan nëpër tunele, nën tokë. Ajo thotë se tani nuk dëgjon mirë, për shkak të zhurmës së bombardimeve të vazhdueshme.

“Ne jetuam për më tepër se një muaj në bodrume, ndërsa dëgjonim bombardimet me raketë mbi kokat tona. Kishim frikë të largoheshim, ushqime nuk kishim.”

Megjithëse pjesa më e madhe e Debaltseve nuk kishte energji elektrike, ujë dhe gaz për ngrohje, në dy javët e fundit popullsia e qytetit është rritur, nga 3,000, në mbi 10,000 vetë, njerëzit po kthehen.

Dmytriy thotë se ai ndjen se Debaltseve është “çliruar” nga separatistët.

“Pas veprimeve të tilla, mendoj se më pak se 3 për qind e banorëve tani mbështesin Ukrainën. Shumica e tyre nuk e duan Ukrainën”.

Republika Popullore e Donetskut, DNR, që po paguan pensionet dhe furnizon me material ndërtimi, duket se është duke fituar mbështetje.

“Kohët e fundit kam marrë pensionin, po ashtu edhe gruaja. Na japin ndihma ushqimore. Tani DNR premton se do të hapë banka dhe do të krijojë një sistem bankar për të rivendosur sistemin e pagesave. Jemi të duruar, sepse ata janë njerëzit tanë dhe i besojmë. Uroj që ukrainsait të mos kthehen më kurrë këtu.”

Njerëzit mbajnë radhën para një qendre për shpërndarjen e pakove me ushqime, për të cilat thonë se kanë ardhur nga Federata Ruse.

“Situata këtu po përmirësohet. Është hapur një nga çerdhet, ku tani shkojnë 33 fëmijë. Duke filluar nga 1 prilli, të gjitha shkollat duhet të hapen. Më tepër se gjysma e qytetit tani ka energji elektrike dhe ujë.”

Megjithë optimizmin, banorët e Debaltseves shqetësohen se luftimet mund të fillojnë përsëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat