Tragjedia që fshiu suksesin; Germanwings u krijua për t’i bërë ballë konkurrencës

Bota

Tragjedia që fshiu suksesin; Germanwings u krijua për t’i bërë ballë konkurrencës

Më: 29 mars 2015 Në ora: 09:55

“Germanwings”, e krijuar në 2002-shin, ishte shpresa e “Lufthansa” për të triumfuar ndaj konkurrencës me çmimet e lira të fluturimit dhe garancinë e sigurisë që ofronte emri i madh prapa saj.

Por bilanci i suksesit u errësua nga rrëzimi i avionit në Francë, thotë “Deutsche Welle”, e cila profetizon zhdukjen e kompanisë këtë vit.

Fillesat e hershme i kishte si “Eurowings AG” në 1997-n, me seli në Këln dhe 5 vjet më vonë do të merrte emrin me të cilin e njohin të gjithë sot. Me pesë avionë të tipit “Airbus A3190-100”, shoqëria bijë e

“Lufthansa” filloi fluturimet drejt destinacioneve të reja turistike nga aeroportet e Këlnit Bonit. Fillimisht filozofia e firmës së re bazohej në konceptin “Pa lukse”, pra në emër të çmimeve të leverdisshme të fluturimit duhej hequr dorë nga shërbimet ekstra pa kosto për pasagjerët.

Më vonë u ofruan tarifa me më shumë komfort dhe u shtua numri i aeroporteve ku avionët e saj kishin qasje. Kalimi i plotë tek “Lufthansa” bëhet në 2009-n.

Në sfondin e një konkurrence gjithmonë e më të egër, në tregun e linjave ajrore fitojnë terren biletat e lira dhe “Germanwings” bëhet mjaft e rëndësishme për linjen më të madhe ajrore të Gjermanisë.

Kritikët akuzuan se me forcimin e “Germanwings” po dobësohej marka e njohur “Lufthansa”. Por drejtuesit e kësaj të fundit ecin me këtë parim: “Nuk vlen asgjë nëse ofrojmë një produkt me cilësi të lartë në treg, por që klienti nuk do ta blejë”.

Por nuk do të zgjasë shumë dhe emri i njohur “Germanwings” do të fshihet nga lista. Drejtuesi ekzekutivi i “Lufthansa”, Carsten Spohr bëri të ditur në fund të vitit 2014 se është duke u planifikuar zgjerimi i markës “Eurowings” në kontekstin e ofertave të leverdisshme.

“’Germanwings’ ishte e suksesshme, por për arsye kostosh ne do të kalojmë tek ‘Eurowings’", tha Spohr. Nga ana tjetër, kjo markë ka shanse të hyjë më shumë në tregjet europiane, shtoi ai.

Aksidenti i fundit me të gjitha gjasat do ta përshpejtojë planin e nxjerrjes së “Germanwings” nga lista e prioriteteve të Lufthansës, e cila parashikon për “Eurowings” shtrirjen e fluturimeve me destinacione edhe në Amerikë, në rajonet e Oqeanit Indian dhe në Afrikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat