Obamës i kërkohet të dërgojë armë në Ukrainë

Bota

Obamës i kërkohet të dërgojë armë në Ukrainë

Më: 6 mars 2015 Në ora: 08:12

Në një letër, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani John Boehner dhe ligjvënës të tjerë janë shprehur se veprimet e Rusisë ishin një shkelje “groteske e të drejtave ndërkombëtare”. Ata thanë se armëpushimi i fundit ka konsoliduar pozitat e pro-rusëve në lindje të Ukrainës.

Në letrën dypartiake, të nënshkruar nga 11 ligjvënës, thuhet se veprimet e Rusisë në Ukrainë “ishin “një sfidë për Perëndimin dhe një goditje ndaj rendit ndërkombëtar të vendosur me kosto të madhe në prag të Luftës së Dytë Botërore”. Ligjvënësit i bëjnë thirrje Presidentit të miratojë ndihma për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë edhe armë vdekjeprurëse. Ata besojnë se kjo është e vetmja mënyrë që Ukraina “të pengojë dhe të mbrohet ndaj agresionit të mëtejshëm”.

Në letër është kritikuar Bashkimi Europian, për “mungesë qartësie” në politikën e Perëndimit për çështjen e Ukrainës dhe se Obama duhet të jetë udhëheqës në këtë rrugë.

Një numër i madh politikanësh amerikanë kanë ushtruar presion mbi Presidentin Obama, për një kohë të gjatë, për armatosjen e Ukrainës, duke e kritikuar atë për pavendosshmëri. Obama ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se edhe ai është duke studiuar një zgjidhje të tillë, nëse diplomacia do të dështojë për t’i dhënë fund krizës.

Ndërkohë, ministrat e BE-së do të takohen gjatë ditës së sotme në Letoni për të diskutuar mbi krizën në lindje të Ukrainës.

Perëndimi dhe Ukraina akuzojnë Rusinë se ka ndihmuar rebelët me armë të rënda dhe trupa ushtarake, një pretendim që Moska e ka mohuar gjithmonë, duke këmbëngulur se rusët që i janë bashkuar rebelëve janë vullnetarë.

Të paktën 6000 persona besohet të jenë vrarë që prej fillimit të konfliktit në muajin prill të vitit të kaluar në Donetsk dhe Luhansk, rajone të Ukrainës Lindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat