Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të monitorojnë “aksionet destabilizuese” në Lindjen e Mesme, derisa fuqitë botërore dhe Irani bëjnë përpjekje të arrijnë marrëveshje për programin bërthamor të Republikës Islamike.
Kerry i ka bërë këto komente në Riad, pasi ka takuar monarkun e Arabisë Saudite dhe ministrat e Jashtëm të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit.
Vizita e tij pason tre ditë të bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, në Zvicër, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, sipas së cilës, Irani do të kufizonte aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Gjashtë fuqitë botërore dhe Irani kanë caktuar 30 qershorin si afat të fundit për arritjen e marrëveshjes.
Si Izraeli, ashtu edhe shtetet e Gjirit Persik dyshojnë se Irani po bën përpjekje të krijojë armën atomike dhe të rrisë ndikimin e tij në Lindjen e Mesme.