Mbrojtja e qytetit të Mariupolit

Bota

Mbrojtja e qytetit të Mariupolit

Më: 2 mars 2015 Në ora: 19:26

Në kodrat që bien mbi detin Azov, ushtarët ukrainas gërmojnë. Llogoret, bunkerët dhe pozicionet e luftimit janë pjesë e një rrjeti mbrojtës përreth Mariupolit, një qytet që shumë njerëz janë të shqetësuar se mund të jetë objektiv i rebelimit pro-rus në lindje të Ukrainës. Pavarësisht armëpushimit që filloi më 15 shkurt, ushtarët presin më të keqen:

“Nuk besoj tek armëpushimi, pasi askush nuk po zbaton rregullat e negociatave të Minskut. Niveli i bombardimeve është ulur por luftimet vazhdojnë. Kjo është arsyeja përse mendoj se sulmi po afron. Nëse situata vazhdon kështu, kjo ka për të ndodhur.”

Pa marrë apo pa rrethuar këtë qytet, forcat pro-ruse nuk do të kenë një urë tokësore për në Krime, gadishulli strategjik që i jep marinës ruse dalje në Mesdhe.

Rebelët pretendojnë se Mariupoli është tashmë i tyre, por forcat ukrainase thonë se nuk do të largohen pa luftuar.

"Rebelët thonë se Mariupoli është një vend i rëndësishëm strategjik, politikisht gjithashtu. Por po të marrin parasysh forcat dhe trupat tona do të jetë e vështirë, shumë e vështirë për ta. Të gjithë janë gati.”

Çdo luftim i mundshëm për Mariupolin do të ishte në fakt i tmerrshëm. Civilët janë larguar tashmë nga zona lindore e qytetit dhe ky banor thotë se pavarësisht armëpushimit një bombë ra së fundmi në oborrin e tij.

“Një bombë nga deti apo diku tjetër ra këtu dhe pati shpërthim. Tre apo katër të tjera shpërthyen më tutje. Pati edhe të tjera por ato ranë në det “

Aeroporti i Mariupolit është tani një bazë e improvizuar ushtarake dhe shërben si një zonë pushimi për luftëtarët vullnetarë që vijnë nga vija e frontit. Shumë prej tyre janë të lodhur pas disa ditësh në llogore dhe temperatura të ulta.

Franca ka thënë se Rusia do të përballet me sanksione të tjera në se Mariupoli sulmohet por këtu pak njerëz besojnë se kjo do të jetë një pengesë. Armëpushimi duket më shumë si një mundësi për rigrupimin e forcave nga të dyja palët para se të përmirësohet moti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat