Armëpushimi në Ukrainë, shkëmbehen akuza

Bota

Armëpushimi në Ukrainë, shkëmbehen akuza

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 18:37

Presidenti ukrainas Petro Poroshenko thotë se ushtria e tij është e gatshme të rikthejë armatimet e rënda në vijën e frontit në Ukrainën lindore. Ai vuri në dukje se rebelët e mbështetur nga Rusia, vazhdojnë të shkelin marrëveshjen e armëpushimit të arritur në fillim të këtij muaji. Ndërkohë, nga ana e tyre, separatistët akuzojnë ushtrinë e Ukrainës se nuk po respekton afatet e armëpushimit.

Presidenti i Ukrainës tha se separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore vazhdojnë të shkelin marrëveshjen e armëpushimit të arritur në Minsk në fillim të muajit.

Ndërkohë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha sot se ka pasur përparim në tërheqjen e armëve të rënda në Ukrainën lindore.

Megjithatë, angazhimi i të dyja palëve ndaj parimeve të armëpushimit është vënë në pikëpyetje.

Zyrtarët ushtarakë të Ukrainës u treguan gazetarëve të agjencisë Reuters kamionë që tërhiqnin topa 100-milimetërsh nga fshati Paraskoviyvka, ndërkohë që Kievi e pranon se ka patur një pakësim të ndjeshëm në sulmet e kryengritësve ditët e fundit.

Por udhëheqësi i vetëshpallur i Republikës Popullore Luhanskut, tha se si pasojë e bombardimeve në qytetin Chernukhine, një pjesë e trupave ukrainase janë tërhequr.

"Ne kemi tërhequr mbi 80 për qind të armatimit tonë të rëndë dhe OSBE-ja e ka konfirmuar këtë. Nga ana jonë, ne po bëjmë gjithçka, ndryshe nga pala e Ukrainës, ata bëjnë shumë më pak, ata nuk po respektojnë afatet. Me sa di, sasia e armatimit që ata kanë tërhequr është vetëm 15-20 për qind."

Dje, për të dytën ditë radhazi, zyrtarët ushtarakë të Ukrainës nuk njoftuan për viktima në rajonet pranë kufirit rus, duke shtuar shpresën se armëpushimi i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët më 12 shkurt do të vazhdojë.

Por, një komandant amerikan i NATO-s tha se kryengritësit pro-rusë nuk po i respektojnë kushtet e marrëveshjes për armëpushim të nënshkruar në Minsk të Bjellorusisë, megjithëse japin përshtypjen e tërheqjes së trupave.

"Pajisjet e rënda të separatistëve, armatimet e rënda ruse po lëvizin, por nuk po tërhiqen; nuk është e njëjta gjë, '' tha gjeneral-lejtnanti Frederick Ben Hodges.

Ai tha se trysnia diplomatike ndaj Rusisë duhet të jetë e vazhdueshme. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka paralajmëruar qeveritë perëndimore që të mos imponojnë sanksione të reja kundër Moskës, e cila akuzohet për furnizimin e separatistëve me armë dhe trupa.

Moska i ka mohuar akuzat, duke thënë se rusët që luftojnë përkrah separatistëve gjatë rebelimit tashmë 10-mujor, po e bëjnë këtë si vullnetarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat