Gjendet drogë në gjakun e ish dhëndërrit të Nazarbaevit

Bota

Gjendet drogë në gjakun e ish dhëndërrit të Nazarbaevit

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 15:03

Prokurorët në Austri thonë se disa lloje të drogave janë gjetur në gjakun e Rakhat Alievit, ish dhëndërri i presidentit kazak, Nursultan Nazarbaev.

Aliev, 52 vjeçar, është gjetur i varur në burg në kryeqytetin austriak, më 24 shkurt.

Raportimet e mediave në Austri citojnë prokurorë të këtij vendi duke thënë se testet fillestare të forenzikës tregojnë praninë e një lloji të sedativëve me përbërje të acidit barbiturik.

Ky lloj i drogës është pothuajse në tërësi i ndaluar në Austri, duke e bërë pothuajse të pamundshme teorinë që ndonjë prej mjekësve të burgut ia ka caktuar si medikament Alievit.

Prokurorët kanë thënë se një test më preciz toksikologjik do të publikohet brenda disa ditëve.

Aliev ka qenë i burgosur në Austri prej muajit qershor pasi është dorëzuar te autoritetet austriake, të cilët e kanë akuzuar atë në muajin dhjetor për vrasjen e dy bankierëve kazakë në vitin 2007.

Për këtë rast autoritetet kazake e kanë kërkuar ekstradimin e tij rregullisht.

Aliev, ish ambasadori i Kazakistanit në Austri, ishte kritik i zëshëm i Nazarbaevit.

Akuzat për vrasje ai i quante si të motivuara politikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat