Megjithë rezervat e shumta - Bundestagu i thotë Po Greqisë

Bota

Megjithë rezervat e shumta - Bundestagu i thotë Po Greqisë

Më: 27 shkurt 2015 Në ora: 12:52

Megjithë rezervat e mëdha të shprehura nga deputetët gjermanë kundrejt Greqisë, të premten (27.02) Bundestagu miratoi me shumicë votash zgjatjen e paketës së ndihmës për Greqinë. Për kërkesën e bërë nga ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) pro votuan 542 deputetë, ndërsa 32 deputetë votuan me jo, gjithsej pati 13 abstenime.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble e kërkoi në Bundestag zgjatjen e programit për Greqinë, por duke treguar mirëkuptim për pakënaqësinë në rritje në vend kundrejt Greqisë. Vendimi për zgjatjen e programit aktual të ndihmës nuk është i lehtë për deputetët. "Për secilin prej nesh është shumë e vështirë", tha Schäbule para fillimit të votimit në Bundestag. Schäuble përmendi në Bundestag përgjegjësinë që ka Gjermania në Europë për shkak të historisë së saj. "Ne gjermanët duhet të bëjmë ç'është e mundur për ta mbajtur Europën të bashkuar, sa të mundemi ta afrojmë." Për Schäublen nuk bëhet fjalë për miliarda të reja për Greqinë, por më shumë për të ofruar kohë për ta mbyllur me sukses programin e vitit 2012.


Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave

Megjithë grindjen me Greqinë në javët e fundit, e cila nuk e donte vazhdimin e programit të ndihmës me kushtet e përcaktuara nga trojka, si mazhoranca qeverisëse e unionit kristiandemokrat e kristiansocial bashkë me socialdemokratët, ashtu edhe të Gjelbrit dhe e Majta votuan pro zgjatjes së paketës së kontestuar të ndihmës me katër muaj.

Kritika të ashpra në Bundestag
Kritikat më të ashpra në Bundestag Greqisë i erdhën nga deputeti kristiandemokrat, Klaus-peter Wllsch i cili kërkoi daljen e Greqisë nga eurozona. "Shikojeni Tsiprasin, shikojeni Varoufakis. Do blinit një makinë të përdorur prej tyre? Po qe se kësaj pyetje do t'i përgjigjeni kësaj pyetjeje me Jo, atëherë votoni edhe sot me Jo. Problemet do të vazhdojnë."

Ndërkohë janë shtuar zërat se Greqia në verë ka nevojë për një program të ri ndihmash. Për deputetin socialdemokrat, Carsten Schneider për këtë duhet që Athina t'i mbajë premtimet e bëra. "Tani grekët e kanë vetë në dorë. Ne po u japim dorën." Schneider e kundërshtoi deputetin kristiandemokrat duke theksuar se "zgjidhja më e shtrenjtë tani do të ishte nxjerrja e Greqisë nga eurozona."

Por në Bundestag u kritikua edhe politika e qeverisë gjermane ndaj Athinës. Kështu kreu i grupit parlamentar të partisë së Majtë, Gregor Gysi ia dha fajin për gjendjen e krijuar kancelares Angela Merkel dhe ministrit të Financave, Schäuble duke i bërë bashkëpërgjegjës për fitoren e qeverisë së majtë me djathtistët në Athinë. Politika gjermane ka çuar në masa antisociale, papunësi të lartë dhe gati falimentimin e sistemit shëndetësor, tha Gysi. "Kjo ishte një politikë vetëvrasëse."

Edhe kreu i grupit parlamentar të të Gjelbërve, Anton Hofreiter e kritikoi qeverinë Merkel për këmbënguljen kokëforte tek kursi i kursimeve. Sipas Hofreiter, pasi është parë që kursi i deritanishëm nuk dha fryte, Athinës i duhet dhënë në shans i ri. "Një paketë e tretë ndihme duhet përgatitur në atë nënyrë që në fund të saj të kemi një Greqi të stabilizuar dhe me mirëqenie", tha Hofreiter.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat