Gratë jazidi flasin mbi rrëmbimet e ISIS-it

Bota

Gratë jazidi flasin mbi rrëmbimet e ISIS-it

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 20:06

Kampi Ba'adra në Irakun verior, është strehë e rreth 15 mijë të zhvendosurve të pakicës Jazidi. Mijëra të tjerë janë duke u mbajtur rob nga militantët e Shtetit Islamik.

Tetëmbëdhjetë vjeçarja Soham Mohamed u arratis pas gjashtë muajsh në robëri. Ajo ra dakord të fliste nëse nuk zbulohej fytyra dhe emri i saj i vërtetë. Ajo thotë se Shteti Islamik pushtoi fshatin e saj në gusht dhe mori të gjithë burrat:

"Ata na ndanë me forcë nga nënat tona, mua dhe gjashtë vajza të tjera, dhe na dërguan në një shtëpi në Tal Afar. Ushqimi nuk ishte i mirë. Pas një muaji dy djemë erdhën, zgjodhën disa nga ne dhe na çuan në një shtëpi në Mosul".

Soham u përdhunua dhe u rrah disa herë deri para një muaji, kur ajo arriti të ikte nga duart e militantëve. Ajo thotë se vrapoi gjithë natën deri sa gjeti një familje që e strehoi atë. Më vonë ata kontaktuan xhaxhain e saj i cili e shpëtoi.

Luftëtarët e Shtetit Islamik vranë rreth 1.700 njerëz në fshatin Koço. Më shumë se 100 gra të reja u ndanë dhe u dërguan në një shtëpi në Raka, në Sirinë veriore, thotë 22 vjeçarja Sara Hussein. Militantët menjehërë dolën për t’i marrë ato:

"Çdo luftëtar blinte një vajzë për vete. Ata erdhën për të na blerë dhe për të na konvertuar në fenë islame. Na përdhunuan dhe nuk na jepnin ushqim. Askush nuk u kursye. Nëse njëra nga ne rezistonte ata i godisnin të gjithë, duke u thyer duart dhe kokat. Ne nuk mund të bënim asgjë. Nganjëherë tre burra dhunonin një vajzë".

Sara Hussein është e zemëruar nga reagimi i bashkësisë ndërkombëtare, që ajo ajo thotë se ishte tepër i vonuar:

"Të gjitha vendet e mëdha po sulmojnë Shtetin Islamik, Amerika, Arabia Saudite, Australia, Franca, por ato nuk kujdesen për ne. Atyre u intereson vetëm nafta e Irakut. Nëse ata duan të na ndihmojnë ata do të lironin njerëzit tanë të rrëmbyer".

Sara Husein u arratis në nëntor. Ajo dëshiron të dëshmojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet që janë bërë ndaj komunitetit të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat