ADN-ja e politikës së jashtme të Gjermanisë

Bota

ADN-ja e politikës së jashtme të Gjermanisë

Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 17:02

Realiteti i vështirë i vitit të fundit ka krijuar sfida të paprecedenta për Gjermaninë dhe politikën e saj të jashtme. Kriza në Ukrainë doli jashtë kontrolli, me aneksimin e Krimesë nga Rusia, e pasuar prej përshkallëzimit të situatës në rajonin lindor të Donbasit, gjë që vuri në pikëpyetje rendin europian të pas vitit 1945. Dhe ndonëse masat për të cilat u ra dakord në Minsk në fillim të këtij muaji ofrojnë një shans për t’u futur në një proces politik, kriza të tjera – si për shembull epidemia e Ebolës në Afrikën Perëndimore dhe përparimi i ISIS-it – kanë shfaqur sfida të reja dhe urgjente.

Nëse Gjermania duhet të marrë më shumë përgjegjësi në përpjekje për të zgjidhur këta probleme, kjo është objekt e një debati të nxehtë, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë rishikimit të ngjarjeve të 2014-ës, ekspertët, zyrtarët dhe publiku i gjerë kanë diskutuar për sfidat, prioritetet dhe instrumentat e politikës së jashtme të Gjermanisë, dhe janë përpjekur të përcaktojnë rolin e Gjermanisë në botë. Në fund të ditës, rezultatet janë gjithmonë konkretë. Në disa fusha, ne kemi qenë të sukseshëm gjatë vitit të fundit; në të tjera, mundemi dhe duhet të bëjmë më mirë.

Gjermania vlerësohet gjerësisht për angazhimin e saj në nxitjen e zgjidhjes paqësore të konflikteve, sundimin e ligjit, dhe një modeli të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, partnerët tanë presin një politikë të jashtme gjermane më aktive dhe më të fortë në të ardhmen. Pritshmëritë janë të larta – ndonjëherë edhe shumë të larta. Kështu që i takon popullit të Gjermanisë që t’u përgjigjet pyetjeve të vështira: Ku qëndrojnë interesat tanë? Deri ku shtrihen përgjegjësitë tona? Shkurt, cila është ADN-ja e politikës së jashtme të Gjermanisë?

Kolonat bazë të politikës së jashtme të Gjermanisë – partneriteti i ngushtë me Francën brenda një Europe të bashkuar dhe një aleancë e fortë transatlantike si për sigurinë, ashtu edhe bashkëpunimin ekonomik – i kanë qëndruar testit të kohës, dhe do të mbeten një gur themeli i qasjes sonë. Por tani duhet të merremi me tre sfidat kryesore: menaxhimin e krizave, rendin global që po ndryshon dhe pozicionin tonë brenda Europës.

Si fillim, duhet të përballemi me faktin që globalizimi i ka shndërruar krizat në rregull, jo në përjashtim. Ndonëse globalizimi dhe digjitalizimi po nxisin zhvillimin e shepjtë ekonomik, ata po ushtrojnë gjithashtu trysni ndaj qeverive në të gjithë botën që të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve – ndonëse këto kufizojnë në mënyrë të paprecedentë aftësinë e qeverisë për të vepruar.

Në botën tonë të globalizuar, shumë njerëz ndiejnë një dëshirë në rritje për përgjigjet e qarta dhe vlefshmërinë e pakohë që ofrojnë identitetet e drejtpërdrejtë dhe të qartë. Kur këta identitete marrin formën e nacionalizmit apo kategorive fetare dhe etnike të ndara ngurtësisht, pasoja shpesh herë është dhuna brutale dhe e pafre, qoftë përmes terrorizmit, qoftë përmes luftës.

Në këtë situatë krizash, politika e jashtme e Gjermanisë duhet të forcojë fokusin e saj mbi paqtimin, ndërmjetësimin dhe parandalimin – ose rrezikon të mbetet me një zgjidhje të vetme: kontrollin ë dëmit. Gjermania është e gatshme të bëjë më shumë në këtë drejtim, ndërkombëtarisht. Ne duam të veprojmë më shpejt, më me vendosmëri, dhe në një mënyrë më thelbësore – jo vetëm kur krizat bëhen akute, por edhe të fokusohemi në parandalimin e konflikteve dhe menaxhimin e paskonflikteve. Kjo kërkon që të përshtasim mjetet tona dhe të krijojmë mjete të reja, duke filluar nga mekanizmat e paralajmërimit të hershëm, deri tek mjetet e fuqizuar të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ne do të shqyrtojmë se si mund të ndihmojmë OKB-në në mënyrë më domethënëse, për ruajtjen dhe ndërtimin e paqes. Ne duhet të merremi në mënyrë të përmbajtur dhe të matur – dhe jo thjeshtë me një “NEIN” si refleks – pyetjen e vështirë, nëse mjetet ushtarakë janë të nevojshëm për të ruajtur zgjidhjet politike. Ne nuk e dimë se kur dhe ku do të shpërthejë kriza e radhës, por e dimë që do të ndodhë – dhe se më mirë të jemi të përgatitur kur të ndodhë.

Por politika e jashtme nuk duhet të përqëndrohet ekskluzivisht tek krizat. Ajo duhet të përgatitet edhe për skenarë të të ardhmes. Dhe, për arsye se Gjermania është e lidhur me pjesën tjetër të botës si shumë pak vende të tjerë, një angazhim ndaj një rendi ndërkombëtar të drejtë, paqësor dhe paqtues është në interesin themelor të politikës sonë të jashtme. Kjo do të thotë përshtatje me ndryshimet kohëgjatë në parametrat e rendit ekzistues – ndryshime që janë shkaktuar, mbi të gjitha, prej ngjitjes së shpejtë të Kinës.

Teksa pllakat tektonike të politikës botërore zhvendosen, Gjermania duhet të jetë më e saktë në përcaktimin e kontributeve të saj për ruajtjen e strukturave ekzistuese të rendit ndërkombëtar dhe krijimin e strukturave të reja. Ne duhet të mendojmë më thellë për mënyrat e ruajtjes së të mirave publike me vlerë: detet, hapësirën dhe Internetin.

Si rezultat, duhet të kërkojmë ekuilibrin e duhur ndërmjet përforcimit të strukturave të domosdoshme dhe organizatave si OKB nga njëra anë, dhe krijimit të normave dhe mjeteve të reja institucionale të minimizimit të risqeve kohëgjatë. Sfida kryesore është të zhvillojmë një politikë të jashtme proaktive që investon në rendin, institucionet ndërkombëtarë dhe forcimin inteligjent të ligjit ndërkombëtar.

Pastaj është Europa, e cila mbetet themeli i politikës së jashtme të Gjermanisë. Por edhe këtu, sfidat e reja kërkojnë përgjigje të reja. Mbi të gjitha, ne duhet të parandalojmë një dilemë strategjike, në të cilën Gjermania u ndie e detyruar të vendosë, mes konkurueshmërisë së saj në një botë të globalizuar, dhe integrimit europian. Europa duhet të përfitojë nga forca e Gjermanisë, ashtu sikurse ne përfituam nga forca e Europës. Si ekonomia më e madhe e Europës, ne duhet të investojmë në integrim. Ai është burimi i forcës sonë.

Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i rezistojmë tundimeve që vijnë prej staturës aktuale të Gjermanisë. Në mënyra shumë të ndryshme, SHBA, Rusia dhe Kina po i ofrojnë Gjermanisë një marrëdhënie të privilegjuar. por ndonëse ne duam të ruajmë dhe forcojmë marrëdhëniet dypalëshe me vende të rëndësishëm partnerë, kur vjen fjala tek formësimi i zhvillimit global, Gjermania është në gjendje që të veprojmë me efektshmëri, vetëm brenda një kuadri solid europian.

Ne nuk kemi arsye të sprapsemi përpara këtyre sfidave. Edhe përballë presionit të një bote të globalizuar, sistemet demokratikë që mbështesin sundimin e ligjit kanë aftësi më të mëdha vetërimëkëmbëse, se sa regjimet joliberalë që shumëkush – përfshirë edhe disa në Europë – po i cmojnë këto kohë. Por kjo nuk do të thotë se ne mund të ndalojmë cdo krizë përmes veprimeve parandalues, apo ndërhyrjes së mencur. Tani më shumë se kurrë, vetëdijësimi për limitet e aftësive tona është pjesë thelbësore e një politike të jashtme të suksesshme.

Kjo nuk nënkupton rrokjen e relativizmit moral. Politika jonë e jashtme duhet të jetë shpresëplotë dhe të ruajë aftësinë për të reaguar me përgjegjshmëri. Megjithatë, nëse u qëndrojmë fort parimeve moralë, duhet që në të njëjtën kohë të bëjmë një vlerësim realist të kufizimeve. Fakti që kemi një ndërlidhje të lartë në nivel global, fakt i cili ka qenë jetik për begatinë dhe sigurinë tonë, nuk na lejon të pretendojmë që ne jemi, ose një ishull, ose një forcë historike botërore.

Brenda një strategjie të efektshme për shekullin 21, politika e jashtme duhet të përqëndrohet njëkohësisht në parandalimin e krizës dhe diplomacinë, si dhe të rrisë përpjekjet që mbështesin transformimin. Për Gjermaninë, të gjithë këto objektiva duhet të ndiqen brenda kuadrit të një Bashkimi Europian të fortë dhe të integruar, në të cilin ne i marrim përgjegjësitë tona të lidershipit për paqen dhe begatinë globale. Gjermania ka shumë për t’i ofruar botës, dhe do ta bëjmë këtë me vetëbesim dhe përulësi.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The DNA of German Foreign Policy

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat