Përse Gjermania duhet të përtypë “drekën kejnesiane” falas

Bota

Përse Gjermania duhet të përtypë “drekën kejnesiane” falas

Nga: Nga Andrew Graham Më: 26 shkurt 2015 Në ora: 14:14

Në filmin “Të gjithë njerëzit e presidentit”, këshilla e “Deep Throat”, burimi i gazetarëve, ishte “ndiqni paranë” – një ide madhështore për investigimin e ndjekjen e korrupsionit, por e pashpresë në kuadrin e një udhëzuesi për makroekonominë globale.
Në krizën greke, të gjithë janë fokusuar tek paratë, por është tregtia ajo që ka rëndësi. Deri kur Greqia të arrijë të gjenerojë një tepricë të eksportit, ajo nuk mund të paguajë borxhet e saj, dhe s’mund të garantojë teprica nga eksportet, sa kohë që defiçiti rritet.
Por kjo është pikërisht ajo, nga e cila politika gjermane po i privon grekët (dhe të gjitha vendet e tjera me defiçite të larta) nga arritjet pozitive. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, vlerëson se sufiçiti gjerman i llogarive korrente për këtë vit, do të jetë më shumë se 7 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Çdo makroekonomist ndërkombëtar e di se kjo tepricë, mund të korrigjohet vetëm nga një përzierje e zgjerimit të shpenzimeve, nëpërmjet politikës fiskale, dhe reduktimit të shpenzimeve, nëpërmjet ndryshimit në kursin real të këmbimit. Gjermania nuk ka ndërmend që të tolerojë asnjërën.
Dhe kjo nuk do të nxisë reduktimin e konkurrencës. Përkundrazi, madje edhe një sufiçit i brendshëm buxhetor prej rreth 8 përqind të PBB-së, nuk do të lironte politikën fiskale. Ajo që ka ngjallur shumë pak debate është pyetja “përse jo?”.
Më së shumti, përgjigja qëndron tek historia gjermane dhe narrativa që ka dominuar politikat e saj ekonomike. Hiperinflacioni gjerman i viteve 1919-1923, ishte aq shkatërrimtar, veçanërisht për kursimet e klasës së mesme, sa ka mbetur edhe sot i ngulitur fort në psikikën gjermane.
Pa marrë parasysh faktin, se situata e tanishme është e dominuar nga papunësia dhe një deflacion në rritje, frika nga inflacioni mbetet. Në vitin 1930, Gjermania kishte papunësi të lartë, por kujtimet e gjermanëve, dhe veçanërisht mbi atë sesi dolën nga ajo krizë, nëpërmjet një zgjerimi fiskal klasik kejnesian, kryesisht janë harruar, në kushtet kur stimuli fiskal ishte riarmatimi që vuri në plan të parë Hitleri.
Teoria e përgjithshme e Xhon Mejnard Kejnesit, u botua në vitin 1936, dhe idetë e tij u përfshinë në programet qeveritare të SHBA dhe Britanisë së Madhe. Por me nazistët në pushtet, idetë e tij patën pak ndikim në Gjermani. Edhe periudha e pasluftës nuk ishte më mirë.
Parathënia e Kejnesit për botimin gjerman të “Teorisë së Përgjithshme”, i referohet politikës fiskale si diçka veçanërisht e lehtë për t’u zbatuar nga shtetet “totalitare” – saktësisht jo e njëjta “muzikë” për veshët gjermane, pas Hitlerit. Një nga pasojat, është se ekonomia në universitetet gjermane i ka kushtuar pak vëmendje “macros”, dhe teoria kejnesiane është edhe më pak e dukshme.
Konferenca e Bretton Woods e vitit 1944, e dominuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe (me Kejnesin si përfaqësues kryesor të Mbretërisë së Bashkuar), përcaktoi kornizën për ekonominë botërore të pasluftës. Gjermania nuk u përfaqësua në atë tryezë. Në fund të viteve ‘40, Gjermania mori ndihma të shumta në kuadër të “Planit Marshall”, dhe formave të tjera të mbështetjes. Këto ndihma, ishin vendimtare për rimëkëmbjen e menjëhershme të vendit pas fundit të luftës.
Ato ishin bujare, krijuan jo pak stimuj fiskalë, por ato ishin bërë për Gjermaninë, në vend se Gjermania t’i zgjidhte vetë. Nga viti 1950 e tutje, suksesi i ekonomisë gjermane, e reduktoi edhe më tej interesin, qoftë edhe minimal, mbi politikën fiskale kejnesiane.
Me eksportet si gjenerator të rritjes ekonomike, nuk ka patur në fakt nevojë për stimujt kejnesianë. Herë pas here, ekonomia ishte ngadalësuar, dhe për politikën monetare që ajo ndiqte, ishte si e mjaftueshme ashtu edhe efektive. Ishte një pothuajse përjashtim. Pas ngadalësimit ekonomik, që solli rritja e ndjeshme e cmimeve të naftës në vitin 1973, kancelari gjerman Helmut Shmid ishte në favor të idesë, së sugjeruar nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, që Gjermania dhe Franca të mund të ishin “lokomotivat” e rimëkëmbjes.
Megjithatë, politika nuk ishte as e mirë-planifikuar, dhe as e zbatuar me bindje, e për me tepër nuk u pa si ndonjë sukses i madh. Në mendjet e politikëbërësve, këto ngjarje thjesht shërbyen për të përforcuar pikëpamjen e tyre, se politika fiskale ishte, në rastin më të mirë, e parëndësishme.
Shpenzimet masive të Gjermanisë Perëndimore, për të mbështetur dhe ristrukturuar Gjermaninë Lindore pas ribashkimit, nuk u njohën asnjëherë si një politikë fiskale. Në të vërtetë, ajo ishte pikërisht ajo që ishte, por për gjermanët ajo qe “infrastrukture”, “furnizim” dhe “reformë”, kurrë “kejnesiane”.
Gozhda e fundit në arkivol, qëndron tek gjuha gjermane. Gjatë një bisede, rreth lehtësimit të borxhit grek me ish-kryeministrin Andonis Samaras, Angela Merkel u shpreh: “Kjo nuk tingëllon aq mirë në gjermanisht!”. E përse jo? Sepse termi borxh (debt) në anglisht, në gjermanisht përkthehet edhe si “faj”.
Derikur Gjermanët të rishqyrtojnë sërish historinë e tyre, dhe të kuptojnë sesa të veçanta ishin rrethanat e tyre, ata kurrë s’do ta kuptojnë se përse zgjerimi i bazës fiskale prej tyre (plus një rritje e pagave) është i nevojshëm tani, dhe përse pa këtë, grekët nuk mund të paguajnë kurrë borxhet e tyre.
Sigurisht, në të vërtetë ka shumë më shumë vende sesa vetëm Gjermania apo Greqia, ku për të apeluar ndaj këtij kompleksiteti, detyrohemi t’u hedhim hi syve tanë, në mënyrë që të mos shohim mospërputhjet e pozitës gjermane.
Sufiçiti i madh i brendshëm buxhetor i Gjermanisë, ndikon tek defiçitet buxhetore diku tjetër, ku ata pastaj kritikojnë të tjerët për atë që po ndodh. Në mënyrë të ngjashme rritja e eksportit që udhëheq rritjen ekonomike, nuk mund të jetë një zgjidhje për të gjithë.
Tepricat gjermane të eksportit e bëjnë situatën më të vështirë për gjithë të tjerët. A mundet Gjermania të bëjë ndonjë rregullim? Politikat që nevojiten, duhet të bazohen tek rritja reale e pagave gjermane, dhe ideja se shumica e politikanëve, normalisht do ta kenë të vështirë për ta shitur atë. Dhe nuk ka nevojë të ketë asnjë “fajtor” për borxhin, në kushtet kur me një papunësi të lartë, gjithkush mund të përfitojë nga situata.
Ky është një rast, mbi të cilin edhe ekonomistët mund të pajtohen se ka njëfarë “dreke falas”. Nëse Gjermania nuk mer ndonjë masë, tragjedia nuk do të kufizohet vetëm në Greqi. E ardhmja e gjithë eurozonës është në rrezik./“The Guardian”/bota.al/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat