Eurozona, shpresat dhe zhgënjimet

Bota

Eurozona, shpresat dhe zhgënjimet

Më: 29 janar 2015 Në ora: 20:30

Kanë kaluar 13 vjet që nga momenti kur njerëzit morën në duar kartmonedhat e para Euro. Planet u thurën me idealizmin e një integrimi më të thellë, me disiplinë më të madhe financiare, që do të sillte stabilitet ekonomik e politik. Është një realitet krejt tjetër sot, kur Evropa ndjek me nervozizëm se ç’drejtim do të marrë Greqia nën udhëheqjen e qeverisë së re majtiste.

Monedha Euro e ka humbur shkëlqimin. Zgjedhjet e fundit në Greqi sollën luhatje shqetësuese të vlerës dhe pikëpyetje të reja për tërheqjen e Athinës nga Eurozona. Duket sikur janë harruar ditët e euforisë e optimizmit për një integrim edhe më të madh evropian, kur planet për bashkim monetar u përshëndetën me dolli shampanje.

Traktati i Mastritit në 1992 ofronte të drejtën për përfshirje, si dhe për tërheqje nga Eurozona. Por u deshën vite të vendosej se kush do të pranohej e kush do të përjashtohej nga Eurozona dhe mbi të gjitha çfarë masash do të merreshin për të zbutur deficitet dhe për të përmbushur standardet e njohura si Kriteret e Mastritit.

Megjithëse ideja ishte ende në gjenezën e saj, planet për bashkim monetar u përshëndetën si një hap gjigand përpara nga Ministri i atëhershëm francez i Financave, Dominique Strauss-Kahn:

“Në librat e historisë që do të shkruhen 10-20 vjet më pas, jam i bindur se 31 dhjetori 1998 do të shënohet si ditë historike”.

Për tre vjetët që pasuan, euroja ishte një koncept që vendosi disiplinën monetare në përgatitje për prerjen e monedhës së re.

Për herë të parë njerëzit morën në dorë paranë e re në prag të ndërrimit të viteve më 31 dhjetor 2001. Që në fillimet e saj, së bashku me optimizmin e shumë evropianëve dhe me premtimet euforike të politikanëve për stabilitet monetar dhe begati ekonomike, euroja është shoqëruar vazhdimisht edhe nga komentet e zymta të kritikëve që parashikonin rritje inflacioni. Parashikimet nuk u materializuan për shumë vite deri kur goditi kriza e 2008.

Paketat stimuluese për Irlandën dhe Portugalinë ishin sinjalet e para se diçka nuk shkonte, por tronditja kryesore u shfaq në Greqi ku popullata doli në protesta të zhurmshme kundër masave shtrënguese që shoqëruan borxhin masiv. E ardhmja e Eurozonës ishte në pikëpyetje.

Retorika e politikanëve mbarte një ton ogurzi dhe në kontrast të dukshëm krahasuar me dhjetë vjet më parë:

“Çfarë do të bëhet me Evropës nëse zhduket Euro? Çfarë do t’i mbetet Evropës nëse pushon zemra e saj ekonomike?”

Kjo pyetje është ngritur shpesh në debatet mes dy fuqive evropiane, Francës dhe Gjermanisë lidhur me përgjigjen ndaj krizës në Eurozonë.

Megjithatë, euroja ende nuk e ka humbur fuqinë joshëse. Lituanezët u përfshinë zyrtarisht më 1 janar të këtij viti në Eurozonë, kur kryeministri tërhoqi kartmonedhën e parë me premtimin se Eruoja do të bëhej garanci e sigurisë politike dhe ekonomike. Këto premtime siç duket tingëllojnë boshe për gjysmën e lituanezëve, të cilët sipas anketave do të kishin dashur të mbanin monedhën kombëtare litas.

Në Greqi monedha e përbashkët i ka varur shpresat tek vizioni i 40-vjeçarit Alexis Tsipras që sapo ka formuar qeverinë e re me premtimin për t’i kthyer Greqisë dinjitetin. Nëse kthimi i dinjitetit nënkupton edhe kthimin e dhramisë në qarkullim është vështirë të thuhet për momentin. Për herë të parë një anëtar i Eurozonës është nën drejtimin e një force politike që kundërshton paketat stimuluese të mbështetura nga Gjermania. Është një realitet që ka sjellë ré të zymta dyshimi mbi të ardhmen e euros.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat