Presidenti Obama dhe partneriteti SHBA- Indi

Bota

Presidenti Obama dhe partneriteti SHBA- Indi

Më: 27 janar 2015 Në ora: 21:52

Presidenti amerikan Barak Obama thotë se India dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë vetëm partnerë të natyrshëm, por se Amerika mund të jetë partneri më i mirë i Indisë. Presidenti e përfundoi vizitën e tij historike në Indi me një fjalim duke bërë thirrje për bashkimin e dy vendeve në luftën kundër varfërisë, ndryshimeve klimatike, dhe jotolerancës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Aru Pande sjell hollësitë nga Nju Delhi.

Pas gati tre ditë takimesh me kryeministrin dhe me udhëheqës të biznesit në Indi, të martën presidenti Obama e ndau drejtpërdrejt me popullin indian mesazhin e tij për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet SHBA-Indi.

"Unë jam këtu, sepse jam absolutisht i bindur se dy popujt tanë do të kenë më shumë vende pune dhe më shumë mundësi, vendet tona do të jenë më të sigurta, dhe bota do të jetë një vend më i sigurtë dhe më i drejtë kur dy demokracitë tona qëndrojnë së bashku".

Ai i bëri komentet një ditë pasi u bë presidenti i parë amerikan që merr pjesë në festimin e Ditës së Republikës së Indisë si i ftuari kryesor.

Duke folur para një audience prej 1500 njerëzve në Nju Delhi të martën zoti Obama tha se së bashku Shtetet e Bashkuara dhe India mund të përmirësojnë jetën e popujve të tyre dhe të reduktojnë varfërinë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve në infrastrukturë dhe në energjinë e ripërtëritshme.

Presidenti amerikan shtoi se në mënyrë që të jenë partnerë të vërtetë global, të dy vendet duhet të përballen me ndryshimet klimatike dhe të udhëheqin përpjekjet për ta luftuar atë.

Shtetet e Bashkuara dhe India janë ndotësit më të mëdhenj në botë pas Kinës. Dhe gjatë bisedimeve të dielën, Kryeministri indian Narendra Modi tha se është i gatshëm të punojë me presidentin Obama drejt një marrëveshje globale për të ulur çlirimi e gazit serrë në takimin e Kombeve të Bashkuara mbi klimën që do të mbahet në muajin dhjetor.

Të martën, zoti Obama pranoi se mund të duket e padrejtë që t’i kërkoj një ekonomie në zhvillim si India të reduktojë varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile.

"Por e vërteta është se edhe në qoftë se vende si Shtetet e Bashkuara ulin emetimet ndërsa vendet në rritje si India, me nevoja të mëdha energjie, nuk i bashkohen përpjekjeve për të përdorur lëndë djegëse të pastra, atëherë ne nuk do të kemi shans në luftën kundër ndryshimeve klimatike".

Pjesa më e madhe e fjalimit të fundit të presidentit Obama në Indi u përqëndrua në fuqizimin e rinisë dhe promovimin e barazisë.

Ai mori duartrokitje dhe brohoritje kur foli për të drejtat e grave, duke thënë se në qoftë se vendet me të vërtetë duan të kenë begati, ato nuk mund të injorojnë talentet e gjysmës së popullatës së tyre.

Dy vjet më parë, përdhunimi dhe vrasja brutale e një gruaje të re në një autobuz në Nju Delhi tronditi Indinë, duke shkaktuar protesta të shumta.

"Jeta e çdo vajze është vlefshme. Çdo vajzë meriton të njëjtat mundësi si bijtë tanë. Dhe çdo grua duhet të jetë në gjendje të bëjë gjërat e përditshme, të eci në rrugë, ose të udhëtojë me autobus, të jetë e sigurt dhe të trajtohet me respektin dhe dinjitetin që ajo e meriton".

Udhëheqësi amerikan gjithashtu u shpreh kundër jotolerancës fetare, duke thënë se çdo person ka të drejtë të praktikojë lirisht besimin e tyre pa patur frikë nga persekutimi.

India është përballur me tensione fetare. Në vitin 2002, trazirat e hinduve dhe të myslimanëve shkaktuan vdekjen e të paktën 1.000 personave, kryesisht myslimanë, në shtetin Gujarat ku ka jetuar kryeministri Modi. Ai u akuzua për injorimin e trazirave dhe u lirua nga akuzat për përfshirje në trazira. Megjithatë, për një kohë të gjatë atij nuk iu dha viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për shkak të dhunës në shtetin tij.

Presidenti Obama kujtoi sulmin vdekjeprurës të vitit 2012 në një tempull sik në Uiskonsin dhe citoi fjalët e Mahatma Gandit se "fetë e ndryshme janë lule të bukura nga i njëjti kopsht".

Me këto komente, presidenti Obama përfundoi vizitën e tij në Indi dhe u nis drejt Arabisë Saudite për t’i shprehur ngushëllime familjes së Mbretit Abdullah.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat