Bota reagon e përmbajtur ndaj zgjedhjeve parlamentare greke

Bota

Bota reagon e përmbajtur ndaj zgjedhjeve parlamentare greke

Më: 26 janar 2015 Në ora: 15:07

Komuniteti ndërkombëtar reagoi i përmbajtur ndaj rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Greqi, ku fitoi e majta radikale, SYRIZA, por që nuk arriti të siguronte shumicën parlamentare.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se ”Uashingtoni shpreson të vazhdojë bashkëpunimin e afërt me qeverinë greke”.

“Përshëndesim Greqinë për zgjedhjet”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Marc Stroch, i cili shoqëron presidentin amerikan, Barack Obama gjatë vizitës së tij në Indi.

Presidenti rus, Vladimir Putin e përshëndeti fitoren e SYRIZA-s në zgjedhjet parlamentare në Greqi.

Putin shprehu bindje se ”Rusia dhe Greqia do të vazhdojnë të zhvillojnë bashkëpunimin konstruktiv tradicional në të gjitha sferat me interes të përbashkët dhe në zgjidhjen e problemeve aktuale evropiane dhe botërore”.

Kryeministri britanik, David Cameron vlerësoi se rezultatet nga zgjedhjet në Greqi mund të sjellin rritjen e paqartësisë ekonomike në Evropë, për shkak të së cilës, sipas tij, Britania e Madhe duhet të orientohet në zhvillimin e ekonomisë së saj.

“Zgjedhjet në Greqi do ta rrisin pasigurinë ekonomike në Evropë dhe për këtë shkak Britania e Madhe duhet t’i përmbahet planit tonë duke e garantuar sigurinë në shtëpinë e saj”, deklaroi Cameron.

Presidenti i Francës, François Hollande i dërgoi telegram urimi Ciprasit për fitoren në zgjedhje duke i dëshiruar bashkëpunim të përbashkët në forcimin e rritjes dhe stabilitetit të eurozonës.

“Presidenti i Republikës, duke rikujtuar në unitetin që lidh Francën dhe Greqinë, shpreh gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve me qëllim të sigurimit të rritjes dhe stabilitetit të eurozonës në frymën e përparimit, solidaritetit dhe përgjegjësisë, të cilat janë në bërthamën e vlerave evropiane”, theksohet në një deklaratë të Elisee-së.

Kryetari i Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber në reagimin e parë për rezultatet zgjedhore në Greqi vlerësoi se së shpejti do të bëhet shumë qartë se premtimet që ia dha popullit grek Ciprasi nuk janë asgjë tjetër përveçse “gënjeshtra parazgjedhore”.

“Obliguesit tatimorë evropianë nuk janë të gatshëm të paguajnë për premtimet boshe të Ciprasit. Evropa është e gatshme të tregojë solidaritet ndaj Greqisë nëse ajo tërësisht i respekton obligimet e ndërmarra”, theksoi Weber.

Liderja e Frontit Nacional francez, Marine Le Pen vlerësoi se me zgjedhjet e djeshme populli grek i dha një shuplakë Bashkimit Evropian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat