Koment: Nuk është lojë e lehtë për Robin Hoodin

Bota

Koment: Nuk është lojë e lehtë për Robin Hoodin

Më: 26 janar 2015 Në ora: 12:48

"Ne as nuk do të provokojmë prishjen me partnerët tanë dhe as nuk do ta vazhdojmë nënshtrimin pa kushte". Me këto fjalë u përpoq ta përmblidhte politikën e tij pak para mesnate, triumfuesi i padiskutueshëm i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, Alexis Tsipras. Aleanca e tij Syriza, para pak vitesh një grupim politik jo me shumë rëndësi, u ngjit në shkallën e një partie popullore përmes votës protestuese të të pakënaqurve. Udhëheqësi i ri popullor e karizmatik, Tsipras nuk e njeh përgjegjësinë politike të qeverisjes së një vendi. Tani ai hyn në fazën më të vështirë të karrierës së tij politike: Si fitues i zgjedhjeve dhe shpresa e një mazhorance ai duhet që ta bëjë realitet retorikën kundër masave të kursimit.
Por nuk ka për të qenë e lehtë për Robin Hoodin grek. Greqia është ende e varur nga injeksionet financiare të trojkës së urryer - të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian. Një përpjekje e para disa muajve për rifinancimin e vendit përmes tregjeve financiare dështoi keqazi. Me fjalë të tjera: Një qeveri e Syrizas as nuk mund ta rrezikojë prishjen me partnerët ndërkombëtarë, pa pasur pasoja fatale në vend. Ajo do të kërkojë rinegociim me qëllim faljen e një pjese të borxheve. Ndryshe Syriza nuk ka shans t'i bëjë realitet premtimet që u ka bërë shtresave të popullsisë greke të rraskapitura nga kriza.

Shërimi ende i pasigurtë

Edhe në vitin e pestë pas falimentimit Dd-facto të Greqisë dhe megjithë ombrellat e hapura të shpëtimit, vendi ende nuk është rimëkëmbur. Sukseset si rritja e prodhimit në vitin 2014, të ardhurat plus në buxhetin shtetërror, një turizëm bombastik - të gjitha këto nuk duhet të na bëjnë të harrojmë se ekonomia greke ka humbur një të pestën e vëllimit të saj në vitet e fundit. Papunësia është ende në nivele rekord, shtresa të tëra të popullsisë kanë rënë në varfëri për shkak të masave të kursimit jo të menduara mirë e tatimeve shtesë. Mund të thuhet se Greqia po përjeton një modernizim jo- sistematik me kosto sociale të jashtëzakonshme.

Edhe Brukseli nuk duhet të provokojë prishjen me Athinën

Shtyllat e qeverive të koalicionit në vitet e fundit kanë qenë partia konservatore, Nea Dimokratoa e kryeministrit që dështoi në këto zgjedhje, Antonis Samaras bashkë me partinë socialdemokrate, PASOK. Këto janë partitë përgjegjëse për keqmenaxhimin ekonomik dhe korrupsionin e dekadave të fundit. Votuesit i ndëshkuan ato me mosdhënien e votës. Tani Syriza premton të bëjë realitet të pabërën: të luftojë korrupsionin, të ndjekë penalisht evazionin fiskal, të rimëkëmbë sektorin publik. Detyra që për politikën greke janë kthyer në punën e Sizifit. Syriza e freskët, dhe pa përvojë politike në pushtet merr përsipër tani ta zgjidhë nyjen gordiane. Për Greqinë dhe Europën do të ishte me interes nëse edhe partnerët e Brukselit nuk do të provokonin një prishje me pushtetin e ri në Athinë. / dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat