Zgjedhjet në Greqi, fitore e thellë e Syrizës

Bota

Zgjedhjet në Greqi, fitore e thellë e Syrizës

Më: 25 janar 2015 Në ora: 12:03

(E plotësuar) Nuk ka tashmë asnjë dyshim, zyrtarisht partia Syriza është fituese e zgjedhjeve te pergjithshme parlamentare në Greqi. Rezultatet përfundimtare konfirmuan atë çfarë paralajmëruan rezultatet e para të dala nga exit-pollet.
Por sipas projeksioneve te tv greke e majta ekstreme ekstreme nuk mundi të fitojë e vetme maxhorancën absolute në parlament (151 nga 300 deputetë).
Nga të dhënat partia e Alexis Tsipras ka fituar 36.5% pra 150 deputet, duke i munguar vetëm një deputet për të pasur maxhorancën absolute që do i lejonte të formonte e vetme qeverinë.
Demokracia e Re e Antonis Samaras ka siguruar rreth 29% të votave, duke u renditur e dyta sipas rezultateve paraprake
Rezultat dramatik mendohet të kenë marrë të majtët e PASOK, që kanë siguruar vetëm 5,2% të votave, më pak edhe se partia e re pro-europiane, Potami dhe ultranacionalistët e Agimit të Artë.
Ndërkaq Partia e re e Papandreut ka marrë 2.53% të votave duke mos kaluar kështu pragun elektoral, çka do të thotë se ish-Kryeministri grek mbetet jashtë parlamentit.
Vetë Papandreu deklaroi se duhet pranuar rezultati i zgjedhjeve si brenda Greqisë, ashtu dhe jashtë saj. Ndërsa Samaras dhe Venizelos kanë uruar Tsipras për fitoren. Ministri i Jashtëm në detyrë uroi Syrizan të ketë sukses për të mirën e vendit, ndërsa i kujtoi se ka marrë një përgjegjsi të madhe.
Venizelos tha ndër të tjera se nëse Papandreu nuk do të divorcohej nga partia e tij për të krijuar një subjekt të ri atëherë PASOK do të ishte partia e tretë dhe jo Agimi i Artë.
Grekët duket se kanë zgjedhur liderin e ri karizmatik të Syriza-s, Alexis Tsipras, si Kryeministrin e ardhshëm të vendit, që do t’i drejtojë me një shpresë të re nga e ardhmja, ndoshta edhe jashtë Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave zyrtare

SYRIZA: 34.93% të votave
Demokracia e Re: 29.55%
Agimi i Artë: 6.26% të votave
Potami: 5.58% të votave
PASOK: 5.25% të votave
Partia e re e Papandreut: 2.53% të votave

Fitorja e Syrizas, e parashikuar edhe nga sondazhet parazgjedhore të zhvilluara, ka vënë në alarm Brukselin dhe të gjithë kancelaritë Europiane, pasi nëse Greqia refuzon programin e shpëtimit të aprovuar nga qeveria e mëparshme, të imponuar nga Bashkimi Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombër, atëherë rrezikon një efekt domino që mund të prekë edhe vende të tjera të Eurozonës në vështirësi ekonomike.
Pas krizës më të madhe ekonomike të pësuar që prej rënies së juntës ushtarake në vitin 1974, ekonomia greke është zvogëluar me 25%, mijëra biznese janë mbyllur, pagat dhe pensionet kanë pësuar rënie drastike dhe papunësia mes të rinjve është në normën alarmante 50%.
Në të njejtën kohë, borxhi publik, nga 146% e Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2010, është rritur në 175,5% vitin e kaluar, duke zënë vendin e dytë në botë.
Edhe pse në 2014-tën Greqia doli më në fund nga reçesioni ekonomik gjashtëvjeçar, dhe papunësia tregoi shenja përmirësimi, mund të nevojiten vite që vendi të marrë veten.

Rezultatet sipas Exit Poll-eve

Syriza ka arritur të marrë 35.5-39.5%,
ND: 23-27%,
Lumi: 6.4-8%,
Agimi i Arte: 6.4-8%,
KKE: 5.5%,
PASOK: 4.7%,

Greqia vendos sot të ardhmen, Syriza drejt fitores sipas sondazheve

Prej orës shtatë të mëngjesit, rreth 9.8 milionë grekë u janë drejtuar gati 20.000 Qendrave të Votimit në të gjithë vendin, për të zgjedhur qeverinë e ardhshme të Greqisë, duke dhënë një mesazh se duan të rinegociojnë kushtet e ndihmës ekonomike me huadhënësit ndërkombëtarë.

Kryeministri Samaras, që pretendon se ekonomia po rimëkëmbet, ka votuar qysh herët në mëngjes, me shpresën te rreth 14% e grekëve të pavendosur dhe te 2.1 milionë votues, të cilët janë mbi 70 vjeç dhe të vështirë për t’i bindur.

“Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të shkojmë përpara me dinamizëm, siguri dhe besim, ose nëse do të hyjmë në aventura”, tha kryeministri grek, Antonis Samaras.

Siç vlerësohet, sot Samaras, jo vetëm mund të humbë postin e kryeministrit, por edhe atë të drejtuesit të konservatorëve.

Dhjetëra gazetarë të kanaleve të huaja kanë krijuar kaos në Qendrën ku ka votuar udhëheqësi i opozitës, Aleksis Tsipras.

“Dhe mesazhi, një mesazh i fuqishëm nga populli grek, është se në Greqi do të rikthehet demokracia. Populli grek do të rimarrë kohezionin dhe dinjitetin shoqëror”, tha Tsipras.

I kënaqur nga sondazhet, ai pret me ankth të përqendrojë një diferencë të madhe votash, të mjaftueshme për të marrë shumicën në Parlament, përndryshe do t’i duhet të zgjedhë midis partive të vogla, me të cilat mundësitë për bashkëpunim janë minimale dhe kjo do të vështirësojë premtimet e tij elektorale.

PASOK kërkon të ruajë fuqinë mbështetëse, përndryshe edhe lideri socialist Venizelos do të përballojë dyshimin e anëtarëve të partisë së tij.

Lideri i partisë “Lumi” shijon betejën e tij të parë për Parlament, me synim vendin e tretë. Po ashtu, edhe komunistët grekë përpiqen për një numër dinjitoz votash.

Më të shqetësuarit janë ish-kryeministri Papandreu me partinë e tij 22-ditore, të cilën sondazhet e lënë jashtë kufirit prej 3%, që i lejon futjen në Parlament, ashtu si dhe “Grekët e Pavarur”.

Vlerësohet që pjesëmarrja të jetë më e madhe se në zgjedhjet e kaluara. Pas mbylljes së votimeve do të publikohen sondazhet paraprake, “exit polls”, ndërsa rreth orës 9 e 30 do të ketë një vlerësim të parë zyrtar për rezultatin e zgjedhjeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat