Putin: Për shkak të krizës – nuk ka pushim për ministra

Bota

Putin: Për shkak të krizës – nuk ka pushim për ministra

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 15:26

Presidenti i Rusisë, Vladimir Pution, i ka anuluar ditët e pushimit të ministrave për Vitin e Ri, për shkak të krizës ekonomike që po zhvillohet.

Gjatë një mbledhjeje të sotme të qeverisë, e cila u transmetua në televizion, zoti Putin tha se ministrat e qeverisë “nuk mund t’i lejojnë vetvetes” që të mungojnë nga puna.

Punonjësit në Rusi kanë të drejtë për pushim prej 1 e deri më 12 janar, pasi rusët e festojnë Vitin e Ri dhe Krishlindjet Ortodokse më 7 janar.

“Për qeverinë, për agjencitë e juaja, ne nuk mund të lejojmë këtë pushim të gjatë, së paku këtë vit, e dini se çka po dua të them”, tha Putin.

Çmimet e ulëta të naftës e kanë goditur ekonominë e Rusisë, që varet nga energjia, ndërsa monedha rubla ka shënuar rënie të konsiderueshme këtë vit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë goditur Rusinë me sanksione për shkak të mbështetjes që Moska u jep separatistëve në pjesën lindore të Ukrainës dhe për aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në muajin mars.

Kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev, këtë javë ka tërhequr vërejtjen se ekonomia e Rusisë ballafaqohet me “recesion të thellë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat