Papa dënon dhunën kundër fëmijëve dhe persekutimet brutale të minoriteteve

Bota

Papa dënon dhunën kundër fëmijëve dhe persekutimet brutale të minoriteteve

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 15:12

Papa dënoi ashpër, në një mesazh për Krishtlindjet, të gjitha trafiqet, abuzimet, shfrytëzimet dhe dhunën që pësojnë fëmijët para syve tanë dhe persekutimet brutale, masakrat dhe pengmarrjet në botë.

Papa argjentinas dha mesazhin tradicional “urbi dhe orbi” nga llozha e bazilikës së Shën Pjetrit me një numër të madh personash të mbledhur në shesh.

”Ka shumë fëmijë, viktima të abuzimeve dhe të shfrytëzuar para syve tanë dhe nën heshtjen tonë bashkëpunuese”, theksoi ai.

Papa Françesku u kërkoi ukrainasve të kapërcejnë tensionet, të mundin urrejtjen dhe të nisin një rrugë të re drejt vëllazërimit dhe paqes.

Papa argjentinas e vuri theksin tek dhuna e grupeve xhihadiste në Irak dhe në Siri.

“Zotin, shpëtimtarit të botës, i kërkoj që të kthejë sytë nga vellëzërit dhe motrat tona në Irak dhe Siri, që prej shumë kohësh vuajnë nga konflikti që i ka përfshirë”, theksoi ai në këtë mesazh të transmetuar në të gjitha televizionet në mbarë botën.

Papa kërkoi paqe në të gjithë Lindjen e Mesme duke kërkuar më shumë mbështetje për të gjithë ata që janë angazhuar për dialogun mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Ai shprehu gjithashtu solidaritet për viktimat afrikane të epidemisë së Ebolas duke kërkuar sërish nga komuniteti ndërkombëtar asistencë për vendet e prekura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat