Gauck: Kulturë dhe demokraci kundër urrejtjes dhe dhunës

Bota

Gauck: Kulturë dhe demokraci kundër urrejtjes dhe dhunës

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 08:10

Presidenti gjerman Joachim Gauck në fjalimin e tij të Krishtlindjeve bën një bilanc të dyfishtë të vitit 2014. "Jemi në fund të një viti, që na jep shumë arsye për t'u gëzuar: Gjermania ka më shumë punë se kurrë më parë, jashtë vendit është më e popullarizuar se kurrë, dhe kampionë të botës në futboll jemi gjithashtu. Po në të njëjtën kohë ne hedhim vështrimin pas në një vit plot trazira, luftëra, luftëra civile, terror dhe vrasje, që bazohen madje mbi fenë."
Thuajse çdo ditë dëgjoj për njerëz të vrarë dhe shoh mjerimin e refugjatëve të panumërt. "Kur dëgjojmë pastaj mesazhin e Krishtlindjeve: 'Paqe në tokë!', duket sikur ai këtë vit ai është tejet urgjent. Sepse ne e ndjejmë, se nuk ka paqe të vetëkuptueshme."
Të punojmë për paqe, të lehtësojmë vuajtjen, të ndërtojmë të ardhmen
Paqja, që sundon në Gjermani, është nga ana tjetër diçka e çmuar, thotë Gauck. Dhe kjo ka rrjedhojat e saj: "Aty ku mund të ndihmojnë për të ruajtur paqen, për të qetësuar vuajtjen, dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duhet të bëjmë gjithçka, që kemi në dorë. Kultura, demokracia jonë është kundër konfliktit, urrejtjes dhe dhunës vdekjeprurëse."
Në mesazhin e tij të Krishtlindjeve Gauck thotë se një shoqëri humane ka nevojë për respektin e përditshëm për njëri-tjetrin, për të krijuar bashkëjetesën paqësore. "Këtë urdhërim e njohin të gjitha fetë, ai na lidh dhe na obligon të gjithë ne."
Ndjeshmëri për tjetrin në vend të mbylljes në vetvete
Një shenjë të qartë humanizmi në Gjermani presidenti sheh në faktin se "ndërkohë ka aq shumë gatishmëri, për të pranuar refugjatë." Ai çmoi në këtë kontekst në rradhë të parë angazhimin e ndihmësve të shumtë, që kujdesen për këto njerëz.
Dhe me një vështrim kritik ndaj organizatorëve të lëvizjes së djathtë populiste "Pegida" Gauck shtoi: "Fakti që ne reagojmë me ndjeshmëri ndaj nevojave të njerëzve përreth nesh, që shumica nuk pasojnë ata, që duan ta mbyllin Gjermaninë në vetvete, është për mua përjetimi më inkurajues i këtij viti."
Frikërat merrini seriozisht, por jeni të guximshëm
Ai rikujton se inkurajimi është krahas "paqes mbi tokë" mesazhi i dytë i Krishtlindjeve. Gauck i cili ka qenë shumë vite pastor evangjelist, kujton fjalët e Biblës: "Zoti, që i është shfaqur botës në formën e një fëmije të vogël, dëshiron të na e heqë të gjithë frikën." Mos kini frikë! " Këtë dua t'u them këtë vit të gjithë atyre, që ndihen të preokupuar nga zhvillimet në botë, që janë të shqetësuar, që nuk i dimë akoma përgjigjet për disa pyetje."
Frikërat duhen marrë serizosht, por jo t'u shkojmë atyre pas. Sepse frika vështirëson gjetjen e rrugëzgjidhjeve. Në vend të kësaj mesazhi i Krishtlindjeve duhet kuptuar edhe si një thirrje për t'u besuar vlerave tona, forcave tona dhe demokracisë sonë. Dhe ne e kemi përjetuar vetë: Kush përballet me sfidat, gjen edhe zgjidhje." Revolucioni paqësor në RDGj para 25 vjetësh na kujton se situatat mund të transformohen në pozitive.
Falenderim për ndihmësit që punojnë në botë
Frikëra ka gjithnjë, për këtë presidenti nuk ka iluzione. "Por ne e dimë gjithashtu se të përjetosh atë, që ne e quajmë humane, është në fakt mundësia më e madhe njerëzore. Këtë ne e përjetojmë shpesh." Ai përmend vullnetarët, apo ndihmësit profesionistë, që kujdesen edhe për Krishtlindje për njerëzit në lagje, në spitale, apo në azile për të moshuarit. "Unë kujtoj edhe njerëzit, që punojnë në zonat me ebola në Afrikë. Punonjësit e shumtë civilë në rajonet në zhvillim, ushtarët, mjeket, për të gjithë ata, që e bëjnë këtë botë dhe vendin tonë një vend më të mirë."
Gauck e mbyll fjalën e tij me një apel: "Ne të gjithë mund të japim kontribut, që të mbetet e gjallë vala e ngrohtësisë, pa të cilën bota do të ishte e ftohtë dhe pa paqe. Duke u angazhuar, kur të tjerët pranë nesh kanë nevojë për ndihmë. Duke u dhënë të kërcënuarve paqe dhe të përndjekurve mbrojtje. Për këtë mesazhi i Krishtlindjeve mund të na inkurajojë."

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat