Sfidat e Ukrainës, të njëjta me të Rusisë

Bota

Sfidat e Ukrainës, të njëjta me të Rusisë

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 18:39

Revolucioni pro-evropian i Ukrainës arriti këtë vit të zëvendësojë presidentin e saj pro rus me udhëheqës që favorizojnë integrimin evropian. Por aneksimi nga Kremlini i Krimesë dhe mbështetja e tij për kryengritësit pro rusë në Ukrainën lindore, ka ngritur shqetësime të shumta se vendi do të vazhdojë të mbetet në gjendje të paqëndrueshme që mund të degradojë në luftë të përgjithshme. Analistët politikë thonë se veprimet e Kremlinit janë një kërcënim për të dyja vendet:

Udhëheqësit e Ukrainës e përkujtuan një vjetorin e revolucionit të quajtur Euromaidan jo me festime por si një rast të zymtë.

Për të afërmit e protestuesve të vrarë në përleshjet që sollën përmbysjen e presidentit pro rus Viktor Janukoviç drejtësia ende nuk është vënë në vend dhe kostoja e revolucionit po rritet.

Mijëra njerëz kanë vdekur në luftimet me kryengritësit e mbështetur nga Kremlini në lindje të vendit, një sfidë e madhe kjo për udhëheqësit e rinj të Ukrainës, thotë Yuri Yakymenko i qendrës Razumkov të Kievit.

Yuri YAKYMENKO, Qendra Razumkov:

"Për herë të parë në historinë e Ukrainës së pavarur ne jemi në gjendje lufte kundër një agresori më të madh, sepse kështu duhet ta quajmë."

Por shumica e ukrainasve, si ish protestuesja Valentina Blian, thonë se sakrifica për një të ardhme evropiane ia vlen.

Valentina Bilan, ish-protestuese:

"Ne kemi zgjedhur një parlament, le të shpresojmë se ai do të funksionojë. Me kalimin e kohës çdo gjë do të bëhet mirë. Do t'i kujtoni këto fjalë. Unë mora pjesë në Revolucionin Portokalli. Gjëja më e frikshme pas revolucionit është kur njerëzit zhgënjehen."

Luftimet e kanë hequr vëmendjen nga reformat aq të nevojshme ekonomike dhe politike në Ukrainë dhe Rusi, dy ekonomi që po bien me shpejtësi.

Yuri Pivovarov i Akademisë ruse të Shkencave thotë se ekspansioni i presidentit Vladimir Putin në Ukrainë është një kërcënim edhe për arritjet demokratike të Rusisë.

Yuri PIVOVAROV, Akademia ruse e Shkencave:

"Përmes politikës së agresionit, aneksimit dhe ndërhyrjes në Ukrainë, regjimi i Putinit po ndjek një vijë të ngjashme edhe brenda vendit. Klima politike është ftohur ndjeshëm. Rreziqet për njerëzit që mendojnë ndryshe, për opozitën, janë rritur mjaft. Në këtë kuptim, lufta në Ukrainë është edhe një luftë në Rusi, ku i gjithë aparati i qeverisë është në luftë kundër disidencës, kundër njerëzve që mendojnë ndryshe."

Drejtori i Qendrës Carnegie të Moskës Dmitri Trenin thotë se ka pak oreks për një kompromis aq të nevojshëm midis Rusisë dhe Ukrainës.

Dmitri Trenin, QENDRA Carnegie, MOSKË:

"Kjo, sidomos në Perëndim sepse çdo kompromis në këtë pikë do të shihej si një lëshim ndaj Presidentit Putin. Dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Por, në qoftë se është kështu, e vetmja rrugëdalje mbetet të jetë rënia e regjimit të këtushëm. Meqenëse pak a shumë kështu lexohet situata nga Kremlini, kjo i shton mjaft rreziqet për Rusinë."

Udhëheqësit e Ukrainës nuk do ta kenë të lehtë përballjen me Rusinë, e cila po shfaqet gjithnjë e më arrogante, ndërsa përpiqen të kapërcejnë kulturën e korrupsionit politik që çoi në revolucionin e Euromaidanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat