SHBA: Obama e nënshkroi legjislacionin për mbrojtje

Bota

SHBA: Obama e nënshkroi legjislacionin për mbrojtje

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 10:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, mbrëmë vonë e ka nënshkruar legjislacionin për mbrojtje, me të cilin mbështetet plani i tij për zgjerimin e fushatës ushtarake kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS).

Në këtë mënyrë u miratua ligji për buxhetin bazë të Pentagonit, prej 496 miliard dollarësh, dhe afro 64 miliardë dollarë shtesë për konfliktet e jashtme, përfshirë luftën në Afganistan.

Kjo masë, formalisht, e mbështet planin e Pentagoinit për t’i ushtruar dhe pajisur pjesëtarët e forcës ushtarake të opozitës së moderuar në Siri për të luftuar kundër militantëve të Shtetit Islamik.

Po ashtu, është autorizuar edhe programi ushtarak amerikan për stërvitjen dhe ndihmën për forcat irakiane dhe kurde, në luftën e tyre kundër pjesëtarëve të grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Me rastin e shpalljes së nënshkrimit të legjislacionit, presidenti Barack Obama, i ka bërë thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara për ta mbështetur planin e tij, për mbylljen e burgut ushtarak amerikan në Guantanamo Bay të Kubës, ku mbahen të dyshuarit për terrorizëm.

Pjesëtarët e Partisë Republikane, të cilët e kanë shumicën në të dy dhomat e Kongresit, u kanë rezistuar përpjekjeve të zotit Obama për mbylljen e këtij burgu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat