Kuba liron amerikanin Alan Gross

Bota

Kuba liron amerikanin Alan Gross

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 18:11

Një zyrtar i lartë i administratës Obama thotë se Kuba ka liruar shtetasin amerikan Alan Gross, pasi e mbajti atë për 5 vjet në burg. Ai tha se Gross u lirua për çështje humanitare.

Zyrtarët amerikanë thonë se janë liruar edhe tre kubanë të burgosur në Shtetet e Bashkuara.

Ky lajm vjen ndërsa zyrtarët po thonë se Presidenti Obama do të njoftojë një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj vendit komunist.

Administrata Obama ka thënë se ndalimi i zotit Gross ishte një pengesë e madhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Televizioni shtetëror kuban njoftoi se udhëheqësi kuban Raul Castro pritet të mbajë një fjalim drejtuar vendit në të njëjton kohë me Presidentin Obama. Alan Gross, i cili ishte kontraktor i Agjencisë amerikane të Zhvillimit, u ndalua më 3 dhjetor të vitit 2009, nën akuzat për futjen kontabandë të pajisjeve satelitore në vendin-ishull, si dhe përpjekje për ngritjen e një shërbimi sekret në internet.

Kuba e dënoi atë me 15 vjet burg. Gruaja e zotit Gross tha një intervistë të kohëve të fundit se të shoqit po shtoheshin përherë e më tepër shenjat e depresionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat