Greqia jep me qira 14 aeroporte

Bota

Greqia jep me qira 14 aeroporte

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 22:10

Greqia ka dhënë me qira, me një çmim prej 2.1 mld euro 14 aeroportet periferike të saj, duke realizuar një nga privatizimet më të mëdha në vend.

Duke dhënë 1,23 mld euro paradhënie dhe 22.9 mln euro qira në vit, konsorciumi “Fraport AG - Slentel” ka fituar të drejtën e shfrytëzimit për 40 vjet të tyre. Bëhet fjalë për 14 aeroporte rajonale, që i kalojnë një prej kompanive më të fuqishme në shfrytëzimin e aeroporteve, në të cilën aksioneri kryesor është shteti gjerman.

Për më tepër, konsorciumi “Fraport-Slentel” që shfrytëzon 11 aeroporte në Gjermani, është angazhuar për investime prej 330 mln euro në katër vitet e para. Oferta e kësaj kompanie i ka kaluar edhe parashikimet më optimiste të organizmit, që realizon shitjen dhe privatizimin e kompanive shtetërore.

Qeveria greke thekson se një prej anëve më pozitive dhe të rëndësishme të këtij privatizimi është fakti se, për çdo 1 milion pasagjerë që do të përdorin këto aeroporte, do të kërkohen dhe do të ndërtohen 10.000 metra katrorë terminalë, të cilët deri tani, në shumicën e tyre, nuk ekzistojnë. Ndërsa partia opozitare “Syriza” ka shprehur kundërshtime të forta për këtë hap të qeverisë së koalicionit, duke kritikuar privatizimin e këtyre aeroporteve, të cilat janë fitimprurëse dhe jo një barrë për fondet publike.

Ndër aeroportet kryesore, që do të privatizohen, janë ai i Rodosit, i Haniasë dhe Iraklios në Kretë, aeroportet e ishujve Santorini, Kos, Mikonos, ai i Korfuzit, si dhe ai i Selanikut. Ky i fundit, që është edhe aeroporti i tretë më i madh i vendit, shfaq edhe nevojat më të mëdha të modernizimit të infrastrukturës, pasi pothuajse çdo ditë në muajt e verës, kur shërben 168 fluturime me 17.000 pasagjerë, krijohet një situatë kaotike aspak e këndshme për turistët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat