Bashkimi Europian ka shtuar pesë grupe separatiste dhe 13 ukrainas në listën e sanksioneve të bllokut për rolin e tyre në zgjedhjet e këtij muaji në lindje të Ukrainës.
Sipas diplomatëve të BE-së, “kjo masë e marrë nga 28 ambasadorët e vendeve të Unionit, i përgjigjet votës së separatistëve, e cila shkeli respektimin e marrëveshjes së Minskut”, tha një burim për agjencinë franceze të lajmeve “AFP”.
Këto sanksione konsistojnë në një ngrirje të të ardhurave në BE, si dhe një ndalim të vizave hyrëse apo kalimin tranzit në territoret e BE-së për individët e prekur. Emrat janë mbajtur sekretë, por pritet të publikohen në revistën zyrtare të BE-së ditën e shtunë, në përputhje me procedurat brenda BE-së. Diplomatët thanë se organizatat e vënë në shënjestër janë kryesisht grupe politike, sesa kompani.
Lista e zezë tashmë përfshin 119 persona dhe 23 entitete, të cilët po përballen me sanksione të ngjashme: ndalime udhëtimesh dhe ngrirje asetesh. Lista përfshin aleatë të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, oligarkë rusë dhe liderë rebelë.