Kroacia heton ‘Mbretin e Sallamit’ për përfitime lufte

Bota

Kroacia heton ‘Mbretin e Sallamit’ për përfitime lufte

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 15:50

Një prodhues i mirënjohur i sallamit dhe produkteve të ​tjera të mishit, Georg ‘Djuro’ Gavrilovic, është në hetim i dyshuar se ka marrë paratë që do shkonin për blerjen e armëve për forcat kroate gjatë luftës së viteve ’90.
Zyra Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Kroaci lajmëroi të mërkurën se ka nisur një hetim për Gavrilovic, pronarin e një kompanie të madhe mishi me të njëjtin emër, raporton BIRN.

I njohur si ‘Mbreti i Sallamit”, 74­vjeçari Gavrilovic drejton kompaninë e familjes së bashku me djalin e tij Georg (‘Djuro i riu) Gavrilovic, i cili është gjithashtu pronar i franshizës së McDonald’s në Kroaci.

Zyrtarët thanë se Gavrilovic dyshohet për përfitime lufte, abuzim me detyrën dhe inkurajim të abuzimit me detyrën në vitin 1991 dhe 1992, gjatë luftës mes forcave kroate dhe luftëtarëve serb të ndihmuar nga Ushtria Popullore Jugosllave.

Gavrilovic dyshohet se nuk ka paguar 1.6 milionë euro detyrime për blerjen e kompanive të falimentuara, pasi kishte shmangur pagesat duke ndërruar emrin e kompanisë së tij.

Pasi merrte kompanitë e vogla,Gavrilovic thuhet se ka përdorur influencën dhe miqësinë me ministrin kroat të financave në atë kohë, Jozo Martinovic, për të përdorur paratë nga llogaritë e depozitave në bankat e huaja që ishin të destinuara për blerjen e armëve për luftën.

Gavrilovic akuzohet për marrjen e një milion eurove nga një llogari, me ndihmën e Martinovic dhe për depozitimin e tyre, së bashku me paratë nga kreditë hipotekare të kompanive të tij, në një llogari të mbajtur nga një kompani e huaj emri i të cilës nuk është bërë ende publik.

Në total, ai dyshohet se ka marrë në mënyrë të paligjshme një milion euro nga paratë e shtetit.

Pasi u lajmërua hetimi, Gavrilovic tha se ky ishte një marifet i shtetit për t’i ushtruar presion atij që të hiqte dorë nga një çështje arbitrazhi kundër shtetit të Kroacisë.

Ai hapi çështjen në një gjykatë arbitrazhi në Uashington në shtator, ku i kërkoi Kroacisë t’i paguante atij 300 milionë euro kompensim për pronën e marrë nga familja e tij prej regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore, dhe kthimin e 450 apartamenteve dhe zyrave.

“Presionet mbi mua personalisht, familjen time dhe kompaninë time Gavrilovic kanë si qëllim të ndikojnë në vendimin përfundimtar të gjykatës së arbitrazhit,” tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat