Gjermania rrit kuotat për gratë në bordet drejtuese të kompanive

Bota

Gjermania rrit kuotat për gratë në bordet drejtuese të kompanive

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:33

Kompanitë më të mëdha gjermane do të duhet të kenë të paktën 30% gra në bordet e tyre drejtuese dhe mbikëqyrëse nga viti 2016. Kjo është një direktivë e re ligjore që qeveria gjermane miratoi të martën në mbrëmje.

Sipas "Associated Press", krerët e Social Demokratëve të Gjermanisë dhe blloku konservator i Angela Merkelit ranë dakord për miratimin e ligjit të ri gjatë një takimi të martën vonë. Projektligji do të hidhet për votim më 11 dhjetor.

Aktualisht, në Gjermani gratë zënë vetëm 22% të pozitave jo ekzekutive në bordet e kompanive të listuara nga Ministria e Ekonomisë. Në bordet e menaxhimit ato mbajnë vetëm 6% të posteve.

Plani i ri do të përfshijë 100 kompani të mëdha që do t’u duhet ta zbatojnë këtë normë nga viti 2016. Ligji parashikon që kompanitë që nuk e plotësojnë kuotën nuk do të lejohen t’i plotësojnë vendet vakante me meshkuj.

Futja e kuotave për gratë ishte një nga kushtet e partisë së majtë Social Demokrate për të hyrë në koalicion me konservatorët e drejtuar nga kancelarja Merkel.

Gjermania ka mbetur shumë prapa vendeve të tjera evropiane në aspektin e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese të kompanive. Norvegjia, Spanja, Islanda dhe Franca kanë ndërmarrë gjithashtu nisma të ngjashme, megjithëse janë shumë më mirë se Gjermania.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat