Turisti dënohet me 20,000 euro gjobë për një germë “K”

Bota

Turisti dënohet me 20,000 euro gjobë për një germë “K”

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:50

Nuk flitet për ndonjë gabim ortografik të turisti rus, por një gabim tjetër. Vizitori rus gdhendi një germë “K”, që përkon me inicialin e tij, në një mur brenda Koloseut. Ngjarja ndodhi më 21 nëntor dhe një ditë më vonë ai u dënua nga një gjykatë italiane me një gjobë prej 20 mijë eurosh.

Agjencia italiane ANSA njoftoi se turisti 42-vjeçar, që nuk kishte asnjë precedent penal, u kap në flagrancë të krimit duke gdhendur një germë “K”, rreth 17 centimetra të gjerë dhe 25 cm të lartë. Këtë veprim e kreu me një gur të gjetur brenda Koloseut, në një mur me tulla.

Pas ngjarjes ai u mor në pyetje nga karabinierët. Gjykata e dënoi gjithashtu me katër muaj burg, por me mundësi pezullimi.
Që prej fillimit të vitit 2014, ishte turisti i pestë i Koloseut që sanksionohet për dëmtim të patrimonit kultural kombëtar. Më herët janë dënuar dy australianë, babai me djalin dhe dy adoleshentë, njëri kanadez dhe tjetri brazilian.

Sipas të përditshmes “Il Messaggero”, pas këtij rasti numri i kamerave të brendshme do të rritet për të vëzhguar edhe cepat më të fshehtë. Një altoparlant i madh i vendosur në të hyrë, do të tregojë në gjashtë gjuhë sjelljen që duhet mbajtur. Ndërsa tabelat do të japin informacionin mbi penalitetet e shkeljeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat