Shtyhet afati për marrëveshje me Iranin

Bota

Shtyhet afati për marrëveshje me Iranin

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 15:32

Afati për marrëveshje bërthamore midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore është shtyrë deri më 1 korrik të vitit 2015, pasi bisedimet e deritashme në Vjenë nuk kanë arritur të prodhojnë kompromis.

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond, ka thënë se është bërë përparim i mirë, porse “ka qenë e pamundur të arrihet marrëveshja në afatin fillestar”.

Ngjashëm është shprehur edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai ka thënë se pret që parimet themelore të marrëveshjes bërthamore, të arrihen brenda pak muajsh.

“Marëveshja përfundimtare nuk është arritur ende, por më lejoni të theksoj se përparimi është i konsiderueshëm. Ka pajtim që të vazhdojnë bisedimet. Brenda 3-4 muajsh, ne seriozisht shpresojmë që të prodhojmë një dokument, që do të përmbajë të gjitha parimet kryesore, realizimi i të cilave do të jetë çështje e konsultimeve teknike”, ka thënë Lavrov.

Afati i fundit për marrëveshje ka qenë mesnata e së hënës.

Marrëveshja midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore: Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, do të largonte frikën e Perëndimit se Irani mund të zhvillojë armë bërthamore dhe do të çonte në heqjen e disa sanksioneve ndërkombëtare, që kanë rrënuar ekonominë e tij.

Marrëveshja po ashtu do të hiqte një burim të madh të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe do të zvogëlonte izolimin e Iranit, pas disa dekadave armiqësi me Perëndimin.

Kundërstarët tradicionalë të Iranit, Izraeli dhe Arabia Saudite, kanë bërë thirrje për kujdes ndaj çdo marrëveshjejee që nuk arrin të zvogëlojë ambiciet bërthamore të Iranit, ndërsa ligjvënës amerikanë kanë kërcënuar me sanksione të reja, nëse nuk ka përparim konkret në bisedime.

Rrethi i ri i bisedimeve ka nisur qysh më 18 nëntor dhe ka përfshirë takime të shumta midis zyrtarëve të lartë. Të hënën, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka takuar ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi.

Ky i fundit ka folur edhe një herë për rëndësinë që do të kishte marrëveshja, si për Iranin, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.

“Kina shpreson të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për çështjen bërthamore të Iranit. Ne besojmë se kjo është në interest ë Iranit, sespe do të ndihmojë që populli iranian të bëjë një jetë noramle. Ajo do të jetë edhe në favor të paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Wang.

Problemi kryesor mes palëve raportohet të ketë qenë niveli i pasurimit të uraniumit që do t’i lejohej Iranit me marrëveshjen përfundimtare.

Varësisht nga niveli i pasurimit, uraniumi mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet bërthamore apo armët bërthamore.

Irani dhe fuqitë botërore nuk kanë rënë dakord as për atë se sa shpejt do të hiqen sanksionet.

Republika Islamike thotë se programi i saj bërthamor ka qëllime ekskluzivisht paqësore, përfshirë gjenerimin e energjisë elektrike, por ajo nuk ka lejuar Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që të hetojë të gjitha lokacionet e saj për pasurim të uraniumit.(v.tela/rel)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat